Sadik Zeqiri, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të organizuar nga Shkëlzen Gashi, duke e kundërshtuar pretendimin se në mesin e të vrarëve ka pasur “të burgosur të armatosur”.
Në një deklarim për Info Magazine në Klan Kosova, Zeqiri ka kujtuar se në Burgun e Dubravës ndodheshin qindra shqiptarë të burgosur, të sjellë nga burgje të ndryshme. “Ne në Burgun e Dubravës kemi qenë diku 950 shqiptarë të burgosur. Aty na kanë sjellë nga të gjitha burgjet dhe pothuajse shumica kemi qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ka pasur edhe të burgosur të tjerë që janë arrestu në vitin ’92 dhe ’93 edhe para lufte, që kanë qenë të dënuar politikë”, ka thënë ai.
Duke folur për ngjarjet gjatë masakrës, Zeqiri ka theksuar se të burgosurit kanë qenë krejtësisht të pambrojtur. “Gjatë Masakrës, 19-24 mars, që autori e ka ba 19-23 maj, neve të gjithëve na kanë rreshtu ose na kanë gjujtë me na vra aty ku kanë mujtë edhe ku na kanë gjetë, edhe ku na kanë nxanë, ndërsa se ku është bazu Shkëlzen Gashi në atë që thuhet se 48 të burgosur të vrarë kanë qenë të armatosur, unë nuk e di, por unë e di që ne të gjithë kemi qenë të paarmatosur”.
Ai ka hedhur poshtë kategorikisht çdo pretendim për armatim brenda burgut. “Kur thuhet kanë qenë të burgosur të armatosur, i bie që ne kemi pasë armë dhe jemi ballafaqu me gardianë, me policë edhe me ushtarë serbë”. Zeqiri shtoi se “në Burgun e Dubravës ne si të burgosur nuk kemi pasur as lugë të aluminit, nuk kemi pasur gati se as lidhëse të këpucëve e lëre më armatim”. /Klankosova.tv/Nacionale/
I mbijetuar i Masakrës së Dubravës: Nuk kemi pasur as lugë alumini, lëre më armë