Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se është detyrim i të gjithëve të diskutojnë e të shtjerrin debatin, para se, siç u shpreh, me një lehtësi të habitshme ta dërgojmë vendin përsëri në zgjedhje, e që sipas saj, nuk do të prodhojnë asgjë të re.
“Pra, përsëri qoftë edhe me 60 për qind t’i fitojmë ne zgjedhjet do të vijmë te pika ku përsëri do të na nevojitet konsensus rreth presidentit. Lutem shumë që Gjykata Kushtetuese ta ketë parasysh detyrën tepër të rëndësishme që ka në këtë proces”, tha ajo në RTK.
Ajo nuk ka dashur të komentojë se si do të jetë vendimi i mundshëm i Kushtetueses lidhur me dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.
“Nuk dua të komentoj Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk dua të jem pjesë e presioneve. Mjaftueshëm po i bëjnë disa akterë të tjerë presion Gjykatës Kushtetuese, jo unë. Si ministre e Drejtësisë jam shumë e kujdesshme në këtë pjesë, gjë që nuk do të thotë se veprimet e gabuara të gjykatës nuk i komentojmë. Ne kemi dëshmuar se i zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe në rastet kur nuk na pëlqejnë. Mirëpo, ky është shteti ligjor. Kur e thotë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese nuk ke më mjete juridike për ta hedhur poshtë dhe si qeveri e pranon dhe duhesh të vazhdosh punën. Shumë shpresoj që të dilet nga kjo rrugë, e cila përndryshe do të krijojë një rreth vicioz, me të cilin do të sillemi me muaj e vite të tëra pa gjetur zgjidhje”, shtoi Gërvalla.
Ajo tutje tha se fakti që PDK nuk pranoi as të diskutojë rastin e Andin Hotit për president tregon se ata herët janë nisur për të bllokuar dhe për ta çuar vendin në zgjedhje.
“Nuk e di pse, nuk e di çfarë mendojnë me zgjedhje të reja, përveç bllokadës, përveç evitimit të disa proceseve si Byroja, Vetingu etj, mirëpo politika gjithmonë është një maratonë, në të cilin ndodhin shumë shpesh befasi rrugës. Do të ishte mirë ta marrim seriozisht dhe të mos luajmë me tema të rëndësishme, të cilat e destabilizojnë vendin tonë, në një kohë kur e gjithë bota është e trazuar. Evropa është duke ndryshuar çdo ditë, gjëra që kanë qenë të pamundura të diskutohen pesë vjet më parë, sot janë temat më të rëndësishme të ditës”, tha Gërvalla.
E pyetur nëse në ditët e ardhshme mund të ketë një kandidat tjetër për president nëse krijohet kjo mundësi nga Gjykata Kushtetuese, Gërvalla tha se vet fakti që kryeministri Kurti i ka thirrur përfaqësuesit e opozitës përsëri tregon se ai është i hapur të diskutojë me ta.
“Deri tani reagimet janë fëmijërore. Jo nuk flasim me ty, jo presim Gjykatën Kushtetuese. E pse duhet ta presim gjykatën nëse kemi shansin të diskutojmë dhe t’i përgatisim gjërat, me qëllim që çfarëdo të vendos gjykata, të paktën që marrëveshjet që mund t’i bëjmë të mos mbeten pa u bërë”, shtoi Gërvalla.
Sipas saj qytetarët do t’ia japin mesazhin opozitës që me këtë qasje nuk kanë për të fituar asgjë.
“Përkundrazi kanë për të humbur edhe më shumë sepse çdo ditë e cenojnë kredibilitetin e tyre edhe ashtu shumë të dëmtuar, me sjelljet sidomos të vitit të fundit, por edhe me sjelljet që i kanë pasur në vazhdimësi gjatë mandatit të kaluar qeveritar”, nënvizoi Gërvalla.
Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëse shkohet në zgjedhje, si koalicion qeveritar, mund të rikthehen me një fitore edhe më bindëse se sa ajo që kanë pasur, sepse, sipas saj është shumë e qartë kush është duke bllokuar. ”Qytetari edhe tani e sheh kush është bllokuesi”, tha Gërvalla.
Gërvalla: Osmani më shumë ka tipare ekzekutive sesa presidenciale
Zëvendëskryeministrja e ministrja e Drejtësisë, në intervistën në RTK është pyetur edhe nëse Osmanit i është ofruar një post ekzekutiv. Ajo tha se Osmani ka më shumë tipare të një personi ekzekutiv se sa të një presidenteje.
“Mendoj që presidentja ka një energji të jashtëzakonshme, po të pyetesha si një njeri neutral do thosha se ka më shumë tipare të një personi ekzekutiv se sa të një presidenti siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Andaj nuk shoh asgjë të keqe nëse presidentja do t’i bashkohej Qeverisë së Kosovës. Nuk kam parë nga radhët e LVV-së refuzim as nga kryeministri, por as nga të tjerë për variantin që presidentja t’i bashkëngjitet Qeverisë nëse nuk shkojmë në zgjedhje, mirëpo kjo është një temë që të mos i shërbejmë thashethemeve që presidentja si kreu i shtetit për të cilin ne nuk diskutojmë në publik të ketë mundësi ta përfundojë me dinjitet e nder mandatin e saj më 4 prill”, tha Gërvalla.
Gërvalla që dikur me Osmanin krijuan bashkë partinë Guxo, nuk ka dashur të komentojë se cila mund të jetë rruga që do ta zgjedhë Osmani.
“Unë nuk dua të spekuloj në këtë drejtim aspak, sepse do të ishte shumë e pandershme nga unë. Qoftë nëse Osmani vendosë të kthehet në Guxo, qoftë nëse vendosë të kandidojë me LDK-në, apo me një iniciativë të saj, qoftë nëse presidentja Osmani të mos bëjë asnjërën nga këto, por diçka krejt tjetër është e drejta e saj, sepse, ajo është një personalitet i njohur, si një presidente që e ka përfaqësuar Kosovën në gjithë botën. Nuk më takon mua t’i them çfarë duhet të bëjë pas kësaj”, tha Gërvalla.
Megjithatë, shtoi se partia Guxo ndodhet aty ku në vitin 2021 shkuan së bashku me presidenten Osmani. “Aty me po të njëjtat premtime e zotime që të luftojmë korrupsionin e të forcojmë shtetin ligjor”, tha Gërvalla.
Gërvalla për Avdylin: Është impulsiv, do diskutojë me të
Donika Gërvalla në cilësinë e bashkëkryetares së partisë Guxo ka folur edhe për dorëheqjen e deklaruar nga deputeti, Haxhi Avdyli nga të gjitha pozitat në parti.
Ajo e quajti Avdylin si impulsiv, derisa tha se me të do të diskutojë, sikurse kur të kalojë kjo fazë do të diskutojë edhe me disa veprimtarë të tjerë.
“’Doki’ është impulsiv dhe reagimin e tij e ka pasur si pakënaqësi. Për faktin që ai ka thënë se mbetet në kuadër të Grupit Parlamentar, ai nuk ka kaluar në LVV. Domethënë për mua ishte indirekt deklarimi i tij publik që nuk është tërhequr nga partia Guxo, sepse si mund të jetë pjesë e GP LVV- GUXO- Alternativa, nëse nuk është anëtar i LVV-së dhe nuk qenka as në Guxo. Por, me doktorin do ta diskutojmë kur të kalojë kjo fazë, siç do e diskutojmë edhe me disa prej veprimtarëve të tjerë, të cilët më shumë edhe nga kjo ‘gjurulldia’ e jashtëzakonshme mediale që krijohet që ‘kijameti’ shpallet çdo 24 orë, kanë dhënë dorëheqje”.
Ajo tha se ka pasur edhe fenomene të tilla që njerëz që kanë më shumë se dy vjet që nuk janë pjesë e Guxo, që partinë e kanë luftuar në dy palë zgjedhje në shkurt e në dhjetor, tani dalin në media e japin përsëri dorëheqje.
“Më vjen keq, kjo është të tallesh me publikun e të tallesh edhe me vetveten”, tha ajo.
Gërvalla: Jam habitur nga dekreti i presidentes, ishte i nxituar
Zëvendëskryeministrja e ministrja e Drejtësisë që është edhe bashkëkryetare e ‘Guxo’-s, parti në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se është habitur nga dekreti i presidentes për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.
Ajo tha se vendimi i nxjerrë në 08:00 të mëngjesit i është dukur i nxituar.
“Presidentja është së pari juriste, së dyti me një eksperiencë të madhe në jetën politike, së treti presidentja është shumë e kujdesshme në vendimet që merren. Unë jam habitur. Mua më është dukur i nxituar ai veprim në 08:00 të mëngjesit. Unë jam e fundit që përmes mediave dua t’i jap këshilla presidentes se duhet ta kishte bërë apo çfarë duhet të kishte bërë. Kemi një situatë kushtetuese momentalisht, një kuvend që nuk mund të ushtrojë detyrat e tij, që janë mbledhur jo vetëm marrëveshje ndërkombëtare.
Për të kaluar në fushën time unë kam dorëzuar në qeveri ligjin për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme që e rrëzoi gjykata dy herë, ne përsëri e kemi përgatitur dhe e kemi proceduar në qeveri, tani ku është Kuvendi që ta miratojë më tej?”, tha ajo.
Gërvalla: Pas dështimit për president konsensual, propozuam Konjufcën si emër që bashkon
Gërvalla tutje tregoi se si erdhi deri te propozimi i Glauk Konjufcës për të parin e shtetit.
“Propozimi ynë erdhi veç në fund pasi paraprakisht ishim përpjekur të siguronim president konsensual, pasi që në fillim të procesit të gjetjes së një emri na është bërë e ditur se presidentja Osmani nuk e gëzon mbështetjen e parlamentit, pra nuk mund të sigurohen 80 apo 81 persona të pranishëm në sallë. Kemi filluar të bisedojmë edhe me PDK-në edhe me LDK-në me shpresën dhe me synimin që të gjejmë një president konsensual. Ideja fillestare ishte që, Murat Jashari, i cili është një person jo vetëm i dinjitetshëm, jo vetëm emër i një familje të madhe, por si profesor i së Drejtës Kushtetuese, edhe një person që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë personifikimi i presidentit që qëndron mbi partitë”, tha ajo.
Por, kur kjo gjë, sipas saj nuk mundi të realizohej, dolën me emrin e Konjufcës.
“Nuk patëm sukses dhe prandaj u desh të dilnim me një emër nga radhët e koalicionit tonë. Jo me një emër dosido, jo me një emër që provokon, një emër që bashkon. Njeriu që është i dyti në Kosovë me numrin më të madh të votave qytetare të marra ndonjëherë në historinë e vendit. Ne, mendojmë që edhe kur nuk arritëm të merreshim vesh me opozitën për një president konsensual, prapë se prapë emri i Glauk Konjufcës është i tillë që do të mund të kishte ofruar mundësinë edhe për deputetët të opozitës që do të mund të qëndronin në sallë e të mos na ballafaqojnë me bllokada të mëtejme”, tha ajo.
Gërvalla i lë përgjegjës opozitarët për ngërçin për presidentin
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në një intervistë ekskluzive në RTK tha se përgjegjësia për bllokadën rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit është e qartë, tek ata që, sipas saj, atë natë nuk ishin në sallën e Kuvendit të Kosovës.
“Pas muajve e muajve me radhë në vitin 2025 ku u bë një teatër i jashtëzakonshëm dhe një bllokadë fillimisht me zgjedhjen e kryetarin e Kuvendit e më pas me mos zgjedhjen e Qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje, me rezultat të qartë për koalicionin tonë dhe me mesazh të qartë për partitë opozitare. Nuk kam dashur të besoj në asnjë moment që një situatë e tillë mund të na përsëritet. Por, ja që ndodhemi tani në këtë situatë ku përsëri Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë se si ecin proceset përpara”, tha Gërvalla në RTK.
Kjo sipas Gërvallës, tregon për një papjekuri të jashtëzakonshme.
“Zgjedhja e presidentit duhet të jetë një ditë feste e jo një ditë bllokade. Pse ndodhemi në këtë situatë është për qytetarin e pakuptueshme, sepse çfarë duhet të bëjë qytetari më tepër. Qytetari ka dalë hy herë në zgjedhje, dhe përsëri po ballafaqohet me rrezikun që të dalë edhe njëherë të tretë”, tha ajo. /RTKlive