Programi bërthamor i Iranit, cilat janë opsionet e SHBA-së?

Ambicia e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore mbetet një nga shqetësimet më të mëdha për sigurinë globale.

Lufta e nisur më 28 shkurt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit synon, ndër të tjera, të pengojë përparimin e programit bërthamor iranian.

Megjithatë, edhe pas sulmeve ajrore intensive, mbetet e paqartë nëse ky objektiv mund të arrihet në mënyrë të qëndrueshme.

Analistët theksojnë se një sukses minimal i operacionit do të ishte shtyrja për disa vite e përpjekjeve të Iranit për armë bërthamore.

Skenari ideal, sipas tyre, do të ishte një ndryshim politik në Teheran dhe krijimi i një qeverie demokratike që të fokusohej në zhvillimin ekonomik dhe marrëdhënie paqësore me fqinjët.

Por një luftë ajrore e vetme vështirë se mund të prodhojë një transformim të tillë dhe madje mund ta përkeqësojë situatën.

Një program që mund të vazhdojë

Pas luftës, Irani mund të rifillojë programin bërthamor me një avantazh të rëndësishëm: rreth 400 kilogramë uranium shumë të pasuruar që besohet se janë të fshehura në disa vende brenda vendit – sasi e mjaftueshme për rreth dhjetë bomba bërthamore.

Nëse ky material bie në duart e një regjimi armiqësor, apo edhe të grupeve të armatosura në rast destabilizimi të vendit, rreziku për sigurinë ndërkombëtare do të ishte i madh.

Në krye të vendit ndodhet tashmë Mojtaba Khamenei, i cili konsiderohet nga disa analistë si më i vendosur për të arritur armën bërthamore se sa babai i tij, pararendës në detyrën e liderit Suprem.

Përballë presionit ushtarak dhe ekonomik, ai mund të përfundojë duke përshpejtuar përpjekjet për një bombë, duke besuar se vetëm një arsenal bërthamor mund të garantojë mbijetesën e regjimit.

Tre opsionet e Washingtonit

Sipas analistëve strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me tre mundësi kryesore.

  1. Operacion tokësor për kapjen e uraniumit

Një ide e mbështetur nga disa qarqe në Izraeli është dërgimi i forcave speciale për të sekuestruar uraniumin.

Një operacion i tillë do të kërkonte një ndërhyrje disa ditore me mbi 1 mijë trupa mbështetëse dhe mbulim të vazhdueshëm ajror.

Edhe pse teknikisht i realizueshëm, ai do të ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe pa garanci suksesi, sidomos nëse materiali është shpërndarë në disa vende të fshehta.

  1. Strategjia e bombardimeve të përsëritura

Një alternativë tjetër do të ishte goditja e Iranit sa herë që programi bërthamor shfaq shenja përparimi.

Por kjo do të nënkuptonte një cikël të pafund përplasjesh ushtarake.

Konflikti aktual ka treguar se edhe dronët dhe raketat relativisht të thjeshta iraniane mund të destabilizojnë tregjet globale të energjisë dhe të rrisin tensionet në Gjirin Persik.

  1. Një marrëveshje e re bërthamore

Opsioni i tretë – dhe ndoshta më realist – është një marrëveshje me Teheranin për të ndalur programin bërthamor.

Një marrëveshje e tillë do të kërkonte që Irani të ndalonte pasurimin e uraniumit, të pranonte monitorim ndërkombëtar dhe të neutralizonte rezervat e uraniumit të pasuruar, në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Një marrëveshje e ngjashme u arrit në vitin 2015 nga administrata e Barack Obama, por u anulua në vitin 2018 nga Donald Trump.

Sot, pas viteve tensionesh dhe dy luftërave, shumë analistë argumentojnë se Uashingtoni nuk ka alternativa më të mira.

Në fund, përballë një Irani të dëmtuar ekonomikisht por ende të vendosur, diplomacia – sado e papëlqyeshme të duket – mund të mbetet rruga më pragmatike për të shmangur një përshkallëzim të ri në Lindjen e Mesme. /Albanianpost.com

Read Previous

Disa ndeshje interesante këtë fundjavë në Superligën e Kosovës në basketboll

Read Next

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim përballet me akuza për bashkëpunim me UDB-në