Teori e re shkencore: Jeta në Tokë mund të ketë ardhur nga Marsi

Një teori e re shkencore po sfidon idenë tradicionale se jeta ka lindur në Tokë. Sipas disa studiuesve nga Universiteti Johns Hopkins, është e mundur që format e para të jetës të kenë ardhur nga Marsi.

Shkencëtarët sugjerojnë se mikroorganizmat mund të jenë transportuar nga Marsi drejt Tokës pas përplasjeve të fuqishme me asteroide, të cilat kanë hedhur fragmente shkëmbore në hapësirë. Nëse në këto shkëmbinj kanë qenë të pranishëm mikroorganizma, ata mund të kenë mbijetuar udhëtimin dhe të kenë arritur në Tokë miliona apo miliarda vite më parë.

Kjo ide lidhet me një hipotezë të njohur në shkencë, të quajtur lithopanspermia, sipas së cilës jeta mund të përhapet nga një planet në tjetrin përmes fragmenteve të shkëmbinjve të hedhur në hapësirë nga goditjet kozmike.

Në një eksperiment të fundit, studiuesit testuan rezistencën e bakterit shumë të fortë Deinococcus radiodurans, duke e ekspozuar ndaj presioneve ekstreme që ndodhin gjatë përplasjeve të asteroidëve. Rezultatet treguan se ky mikroorganizëm mund të mbijetojë presione deri në tre gigapaskal, një forcë rreth 30 herë më e madhe se presioni në fund të Hendekut Mariana, pika më e thellë e oqeaneve në Tokë.

Sipas autores kryesore të studimit, shkencëtares Lily Zhao, bakteret treguan një rezistencë të jashtëzakonshme gjatë testeve laboratorike. Ekipi kërkimor rriti vazhdimisht intensitetin e eksperimenteve në përpjekje për t’i shkatërruar, por mikroorganizmat vazhduan të mbijetonin edhe në kushte shumë ekstreme.

Bazuar në këto rezultate, studiuesit thonë se nuk përjashtohet mundësia që mikroorganizma nga Marsi të jenë transportuar drejt Tokës në të kaluarën e largët dhe të kenë kontribuar në fillimin e jetës në planetin tonë.

Marsi konsiderohet nga shumë shkencëtarë si një planet që dikur kishte kushte të përshtatshme për jetë, përfshirë praninë e ujit të lëngshëm. Interesi për këtë teori është rritur edhe më shumë pasi roveri Perseverance i NASA-s ka zbuluar në shkëmbinjtë marsianë përbërje organike dhe struktura që mund të lidhen me forma të hershme jete.

Sipas studiuesve, zbulime të tilla mund të ndryshojnë mënyrën se si njerëzimi e kupton origjinën e jetës dhe evolucionin e saj në univers. Gjithashtu, ato ngrenë edhe çështje të rëndësishme për misionet hapësinore në të ardhmen, pasi agjencitë duhet të jenë shumë të kujdesshme për të shmangur ndotjen biologjike të planetëve të tjerë./KultPlus.com

Read Previous

Posta e Kosovës nderon gratë shqiptare përmes pullave postare

Read Next

Cilat janë rregullat e reja që FIFA ka miratuar para Kupës së Botës?