Edi Rama: Nëse e prekni Kosovën, keni prekur Shqipërinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në një intervistë për Türkiye Today të enjten se çdo kërcënim ndaj Kosovës përbën kërcënim direkt edhe për Shqipërinë.

“Nëse preket Kosova, preket Shqipëria”, paralajmëroi kryeministri Rama. “Nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën kërcënim ekzistencial”.

Ai komentoi edhe pretendimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mbi aleancën ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci, dhe “ambiciet neo-osmane” të Turqisë.

“Kjo është një tjetër britmë në makthin e tyre… Merrni me mend, Serbia ka një marrëveshje shumë më të fortë me Kroacinë”, kujtoi kryeministri Rama.

Sa i përket akuzës se Turqia ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane, pas furnizimit të Kosovës me dronë, ai tregoi realitetin se ku fluturon kapitali turk në Ballkan.

“Jam i sigurt që, duke qenë dikush i fiksuar pas numrave, presidenti i Serbisë mund ta shohë që Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë”.

Duke folur për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, kryeministri shqiptar pranoi se perspektiva e tij nga Tirana ndryshon nga ajo e udhëheqjes në Prishtinë.

“Unë jam në Tiranë, jo në Prishtinë. Kam qenë dëshmitar i asaj lufte të përgjakshme që copëtoi ish-Jugosllavinë dhe solli në Kosovë tërbimin e makinerisë nacionalsocialiste të vdekjes dhe rrënimit”, reflektoi kryeministri Rama në Türkiye Today.

“Kujtimet, plagët dhe tmerret e asaj kohe janë ende shumë të pranishme atje, ndërsa këtu jo dhe aq. Ky është dallimi që gjithmonë e bëj kur i shoh gjërat ndryshe nga këtu”. /Albanianpost.com

Read Previous

Turqia paralajmëron Greqinë kundër shfrytëzimit të krizës rajonale

Read Next

Porsche do të shkurtojë vende të tjera pune, ndërsa fitimet ranë me 91%