Kardiologët ndajnë 4 ushqime që duken të shëndetshme, por mund të dëmtojnë zemrën!
Në kuadër të Ditës Botërore të Veshkave, Shoqata e Nefrologëve të Kosovës ka nisur një sërë aktivitetesh me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit ndaj veshkave dhe për sfidat me të cilat përballen pacientët që vuajnë nga sëmundjet e tyre.
Nefrologia Siada Selmani foli për rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit në kohë të sëmundjeve të veshkave.
Selmani tha se motoja e sivjetme e Ditës Botërore të Veshkave lidhet me kujdesin për njerëzit dhe mbrojtjen e planetit, duke theksuar edhe barrën që këto sëmundje paraqesin për shoqërinë dhe shtetin.
“Motoja e sivjetme e Ditës Botërore të Veshkës është kujdesi për njerëzit dhe mbrojtja e planetit, pasi një person i shëndetshëm ndikon mirë në tërë shoqërinë. Sëmundjet e veshkës janë një barrë shumë e madhe financiare dhe sociale, ndërsa trajtimi i pacientëve që shkojnë drejt dështimit përfundimtar të veshkës është shumë i shtrenjtë”, tha Selmani.
Ajo foli edhe për dializën si një nga metodat zëvendësuese të trajtimit, duke theksuar se kjo metodë kërkon shumë produkte mjekësore që më pas duhet të menaxhohen si mbetje.
“Një metodë zëvendësuese është dializa, e cila ka një gamë shumë të madhe të produkteve të nevojshme për ta mbajtë pacientin në jetë. Të gjitha këto produkte duhet të riciklohen dhe të menaxhohen si mbetje, ndërsa kjo mbetje shkon me tonelata dhe ndikon edhe në planet”, tha Selmani.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe bashkëpunimit me institucionet, veçanërisht me mjekët familjarë.
“Është bërë rutinë që fëmijët dhe adoleshentët të dinë për shëndetin e veshkave dhe të jenë të ndërgjegjësuar edhe arsimtarët e prindërit. Kemi ligjërata dhe program shkencor me profesorë të ftuar nga Turqia. Sivjet kemi bashkëpunim edhe me Komunën e Prishtinës dhe mjekët familjarë, të cilët janë filtri i parë për pacientët dhe që i udhëzojnë ata tek nefrologu”, tha Selmani. /RTKlive