Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë thirrje që faktori ndërkombëtar të ketë vëmendjen e plotë ndaj deklaratave kërcënuese të ish-drejtorit të Shërbimit Inteligjent Serb (BIA), Aleksandar Vulin, të cilat ai i konsideron drejtuar kundër Kosovës dhe liderëve të saj.
Në një deklaratë një ditë më parë, Vulin është shprehur se, ashtu siç ka vepruar Mossadi në Iran, mund të veprojë edhe Serbia në Kosovë.
Ai ka thënë madje se këtë Serbia e ka bërë më herët, duke shtuar se kryeministri “Albin Kurti nuk frikësohet nga askush”.
Në reagim, Sveçla e ka cilësuar deklaratën si të papranueshme dhe tërësisht kërcënuese.
“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan. Është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić. Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës”, ka shkruar Sveçla në Facebook të mërkurën.
Ai ka shtuar se historia e afërt dëshmon përfshirjen e strukturave të inteligjencës serbe në vrasjen e veprimtarëve politikë shqiptarë. Sipas tij, deklarata se “Serbia di ta bëjë këtë” përbën precedent të rrezikshëm dhe se tolerimi i gjuhës kërcënuese mbetet i papranueshëm.
Në këtë kontekst, Sveçla ka përmendur edhe arrestimin e dy shtetasve bjellorusë dhe një shtetasi rus në javën e dytë të shkurtit. Ai ka thënë se ata ishin ndaluar pasi kishin hyrë ilegalisht në Kosovë dhe se atyre u ishin gjetur pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative, “që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin”.
Sveçla ka theksuar se institucionet e Kosovës po kryejnë punën e tyre me profesionalizëm dhe se Kosova nuk frikësohet nga kërcënime të tilla.
“Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vučić. Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane. Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë. E as Vulin, as Vučić, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka përfunduar ai.