Ministri Blerim Gashani: Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë prioritet kombëtar

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Iakovos Filippousis, si dhe Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre.

Gjatë takimit u diskutua mbi përgatitjet dhe organizimin e Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, një ngjarje me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës, e cila pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sportit dhe në forcimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare.

“Sot pata kënaqësinë të pres në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Iakovos Filippousis, si dhe Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre,” ka shkruar ministri Gashani në “Facebook”

Ai theksoi se organizimi i Lojërave Mesdhetare në Prishtinë përfaqëson një mundësi historike për Kosovën. “Në këtë takim diskutuam për përgatitjet dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një ngjarje me rëndësi të veçantë për vendin tonë, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e sportit dhe në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare,” u shpreh Gashani.

Sipas ministrit, fokus i veçantë i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe koordinimi institucional. “Theks i veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, koordinimit institucional dhe përmbushjes së standardeve organizative që garantojnë një organizim të suksesshëm të kësaj ngjarje madhore për Republikën e Kosovës,” tha ai.

Ministria e Rinisë dhe Sportit ka ritheksuar përkushtimin e saj për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që Prishtina 2030 të jetë një shembull i organizimit profesional dhe një krenari për sportin kosovar. /KosovaPress/

Read Previous

Rekordi i Vinicius në Ligën e Kampionëve, që lë pas Haaland dhe Mbappé

Read Next

NATO miraton iPhone dhe iPad për përdorim të klasifikuar