ZPS: Udhëzimet e Thaçit kishin në shënjestër dëshmitarë specifikë

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Fadil Fazliut, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt dhe Hajredin Kuçit, Prokuroria ka paraqitur audio incizimet se si Thaçi e udhëzoi Fazliun për të ndikuar tek dëshmitarët.

Në audio dëgjohet se Thaçi i tregon Fazliut për Rrustem Mustafën se kur pritej të udhëtonte për Hagë dhe se cfarë t’i thoshte e si duhej të dëshmonte.

Në audio dëgjohej teksa Thaçi e pyeste se a e ke pa, ndërkohë që Fazliu i thoshte se e kishte parë pa shkuar në vizitë në Hagë në “66-sh”.

“Kogja vendimtar është. Po ta them të drejtën”, dëgjohet teksa i thotë Thaçi.

Fazliu i tregonte Thaçit se ky person i kishte thënë se në rast që ata kanë ndonjë porosi unë e kryj s’është problem.

Ndërsa, Thaçi e udhëzon që t’i thotë Mustafës që të deklarohet shkurtë gjatë dëshmisë dhe të mos filozofoj dhe të thotë që s’i kanë ndihmuar as me logjistikë dhe as me armatim.

Në anën tjetër, vetë Fazliu e konfirmon se e ka udhëzuar djalin e tij Fahriun që ta thërras me telefon Mustafën.Përveç kësaj, publikohen edhe bisedat që Fahri Fazliu dyshohet se i ka bërë me Rrustem Mustafën ndërkohë që po organizonte takimin e babait të tij me atë.Përveç kësaj u publikua edhe një audio në mes Hashim Thaçit dhe Isni Kilajt në të cilën Prokuroria pretendon se po flitej për një dëshmitar të mbrojtur. Në këtë takim pretendohet se ka qenë i pranishëm edhe Vllaznim Kryeziu.Sipas Prokurorisë, Thaçi në këtë takim, ia kishte dhënë Kilajt dëshmitë e dëshmitarit 4 dhe e kishte udhëzuar që ta korrigjonte pjesën gjashtë dhe disa pjesë në faqen 7.

ZPS: Thaçi e ktheu objektin e paraburgimit në qendër të pengimit

Prokurori Joshua Hafetz ka thënë se Hashim Thaçi e ka shfrytëzuar objektin e paraburgimit në Hagë në një qendër pengimi përmes vizitave të tij me bashkëpunëtorë.

Ai e tha këtë gjatë deklaratave hyrëse në gjykimin ku Thaçi po akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Hajredin Kuçin dhe Isni Kilajn.

“Thaçi i shkeli të gjitha rregullat e paraburgimit dhe konfidencialitetit të DhSK-së dhe e shfrytëzoj sistemin për vetën e tij. Ai e ktheu objektin e paraburgimit me anë të vizitave të tij me bashkëpunëtorët në një qendër të pengimit dhe në mënyrë të vazhduar i ka shenjestruar dëshmitarët që të kryhet ndërhyrje ndaj tyre duke pëshpëritur urdhra për vizitorët e tij për mënyrën se si duhet të jepin dëshmi dëshmitarët për ta ndihmuar atë”, tha prokurori.

ZPS: Thaçi kishte shënjestër dëshmitarët që i shihte si kërcenim, donte t’i shmangej drejtësisë

Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori Joshua Hafetz ka thënë se shënjestër e Hashim Thaçit kanë qenë disa dëshmitarë specifik të cilët i ka parë si kërcenim.

Ai tha se këtë kërcenim, Thaçi dëshironte që ta neutralizonte në mënyrë që t’i shmangej drejtësisë.

“Prokuroria do të tregoj përmes argumenteve se të gjitha udhëzimet e Thaçit kanë pasur një synim të çartë: shënjestra ishin dëshmitarët specifik dëshmia e të cilëve sipas Thaçit përbënte kanosje për të. Synimi ishte që secili prej këtyre kërcënimeve të neutralizohej me qëllim që Thaçi t’i shmangej drejtësisë”, tha prokurori.

Ai tha se të akuzuarit e tjerë, ishin partneret e Thaçit për të arritur këtë synim të tij.

Prokurori tha se në ketë çështje gjyqësore bëhet fjalë për përpjekjet e Thaçit për të penguar punën e kësaj gjykate.

“Komanda e drejtpërdrejtë e Thaçit ndaj bashkë të akuzuarve ju tregon se për çfarë bëhet fjalë në këtë çështje gjyqësore. Këtu bëhet fjalë për përpjekjet e qëndrueshme dhe sistematik të Z. Thaçi për të penguar punën e kësaj gjykate duke u përpjekur për të ndikuar dhe ndërhyrë në dëshminë e dëshmitarëve, duke nxjerrë informacion konfidencial të dëshmitarëve dhe duke mos marrë parasysh dhe duke mos iu bindur urdhrave të çarta të gjykatës”, tha ai.

Kryeprokurorja: Thaçi akuzohet se sistematikisht ka ndërhyrë në dëshmitarë duke shkelur vendimet gjyqësore, të tjerët morën pjesë

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West tha se në këtë rast gjyqësor, Hashim Thaçi akuzohet se sistematikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme ka ndërhyrë në dëshmitarë si dhe ka shkelur urdhra gjyqësor të cilët kanë synuar mbrojtjen e informacionit konfidencial.

Ndërsa, për të akuzuarit e tjerë, ajo th ase kanë marrë pjesë në mënyrë të paligjshme në kryerjen e këtyre veprimeve.

“Hashim Thaçi është i akuzuar se në mënyrë sistematike dhe të vazhduar ka vazhduar që të ndërhyjë në dëshmitarë dhe ka shkelur të gjithë urdhrat e gjykatës të cilët kanë synuar mbrojtjen e informacionit konfidencial. Të akuzuarit kanë marrë pjesë në mënyrë të paligjshme në kryerjen e këtyre krimeve”, tha ajo.

Përpara kësaj, Kryeprokurorja tha se të akuzuarit kanë shkelur vendime që kanë patur synim që dëshmitarët dhe viktimat të iu mundohet që të jepin dëshmi pa frikë, ndikim dhe me besim që identiteti i tyre do të mbetet konfidencial.

“Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë shkelur vendimet gjyqësore të cilat kanë patur si synim që të bëjnë të mundur që dëshmitarët dhe viktimat të japin dëshminë pa patur frikë dhe influencë dhe që të kenë besimin që identiteti i tyre të ishte konfidencial”, tha ajo.

Ajo tha se kjo dëshmohet në bazë të audioincizimeve të marrë pas autorizimeve të gjykatës. Ajo shtoi se kjo është bërë në takime të papreviligjuara dhe jo në ato të privilegjuarat.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi u deklaruan serish të pafajshëm duke i qëndruar kështu mbrapa qëndrimeve parapake.

Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se nuk do të bëjë deklaratë hyrëse në fillim të gjykimit në rastin kundër administrimit të drejtësisë. 

As mbrojtja e Fazliut s’do të bëjë deklaratë hyrëse me fillim të gjykimit.

Më 6 shkurt, Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka refuzuar ankesën e Hashim Thaçit lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të tij themelore gjatë procedurave në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Ndryshe, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smkajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është caktuar që të fillojë më 27 shkurt 2026.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU.  Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu, të cilën mund ta gjeni KËTU.  Ndërsa, atë të Thaçit KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Begaj: Marrëveshja e Ohrit, arritje historike

Read Next

Real Madrid – Man. City, përballja kryesore e 1/8 së Ligës së Kampionëve