GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Kosova është duke hyrë në javët vendimtare për çështjen e presidentit, ndërsa afati kushtetues i marsit afrohet pa një garë të qartë politike. Deri më tani, vetëm presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e ka bërë publike gatishmërinë për të kërkuar edhe një mandat pesëvjeçar, ndërsa subjektet politike nuk kanë dalë ende me kandidatë alternativë.
Në skenën politike mbizotëron një qasje pritjeje. Përfaqësues të partive parlamentare nuk kanë zyrtarizuar emra konkretë, duke lënë të hapur mundësinë e negociatave në javët në vijim. Në këtë fazë, diskutimet mbeten më shumë në nivel deklarativ për nevojën e një figure konsensuale sesa në propozime të strukturuara.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, si forca më e madhe në Kuvend, nuk ka bërë ende publik qëndrimin nëse do të mbështesë zyrtarisht Osmanin apo do të propozojë një emër tjetër. Edhe Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë paraqitur kandidatura, duke thënë se procesi kërkon dialog politik dhe marrëveshje më të gjerë.
Sipas procedurave kushtetuese, për të kandiduar për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa zgjedhja bëhet në Kuvend me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me shumicë të thjeshtë në rundin e tretë. Pa arritjen e këtij konsensusi, vendi rrezikon të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.
Në këtë situatë, fakti që vetëm Osmani ka konfirmuar synimin për rikandidim e bën atë, të paktën për momentin, emrin e vetëm konkret në horizontin politik. Megjithatë, mungesa e lëvizjeve nga partitë tjera lë të hapur mundësinë që dinamika të ndryshojë në minutat e fundit, një praktikë e njohur në proceset e mëhershme të zgjedhjes së presidentit në Kosovë.
Me kalimin e afateve, presioni mbi spektrin politik pritet të rritet, pasi vendi duhet të sigurojë vazhdimësinë institucionale brenda afatit të përcaktuar, duke shmangur një tjetër cikël zgjedhor. /Albanianpost.com