AUV: Identifikimi me mikroçip, obligim ligjor për kafshët shtëpiake

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje për të gjithë pronarët e kafshëve shtëpiake, veçanërisht të qenve, që të përmbushin detyrimin ligjor për identifikimin e tyre me mikroçip dhe regjistrimin në modulin për kafshët shtëpiake në Sistemin Informativ të Agjencisë. Pas regjistrimit, pronarët marrin edhe pasaportën për kafshën e tyre.

AUV sqaron se aplikimi i mikroçipit bëhet një herë dhe kafsha e mban atë gjatë gjithë jetës.

“Mikroçipimi është baza për përcaktimin e pronësisë së kafshës, për sigurimin e kujdesit të shëndetit të kafshëve në kohë dhe me cilësi, si dhe për një siguri më të madhe për pronarët, duke parandaluar transmetimin e sëmundjeve ngjitëse nga kafshët tek njerëzit”, thonë nga AUV.

Pronarët që tashmë kanë mikroçipuar kafshët e tyre, duhet të njoftojnë çdo ndryshim të të dhënave të kafshës ose të pronarit tek shoqata veterinare kompetente, e cila përditëson bazën elektronike të të dhënave.

Gjithashtu, në bazën e të dhënave duhet të regjistrohen edhe rastet e ngordhjes, humbjes ose shitjes së kafshëve.

“Mikroçipimi i kafshëve shtëpiake ka për qëllim identifikimin e përhershëm të kafshëve, parandalimin e braktisjes së tyre, kontrollin e shumimit dhe lehtësimin e gjetjes në rast të humbjes ose vjedhjes”, theksojnë nga AUV. /RTKlive

Read Previous

​IKD kërkon debat parlamentar për pensionin e moshës, krahas atij të veteranit

Read Next

OKB: Të shqetësuar për pastrimin etnik dhe urinë në Gaza