Avokati Geoffrey Roberts: Rexhep Selimi është tërësisht i pafajshëm

Avokati Geoffrey Roberts tha se nuk është e habitshme që ka pasur gabime në deklaratat e të mbrojturit të tij Rexhep Selimi, në të cilat ka materiale kundër tij dhe bashkë të akuzuarve të tjerë.

Ai këtë e tha pasi foli për faktin që Prokuroria mbështetet në intervistën e Selimit që ia ka dhënë Prokurorisë dhe intervista të tjera që i ka dhënë për Gjykatat e tjera e në media, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas vlerësimit të mbrojtjes, intervista e Selimit e dhënë ZPS-së përmendet 236 herë në dosjen përfundimtare. Në të shumtën e rasteve kjo intervistë është burimi i vetëm më të cilin mbështetet Prokuroria- përfshirë lidhur me faktet materiale kundër bashkë të akuzuarve dhe kundër Selimit. Roli i dyfishtë i Selimit si ministër i Punëve të Brendshme dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Pra, me një këmbë në Ushtri dhe një në Qeveri”, tha ai.

Ai tha se kësaj deklarate nuk mund t’i jepet peshë e konsiderueshme pa pasur konfirmim dhe pa vërtetuar pretendimet përtej dyshimit të arsyeshëm.

“Siç e ka thënë trupi gjykues në mënyrë të qartë, këtyre deklaratave, intervistave dhe transkripteve të zotit Selimit nuk mund t’iu jepte një peshë e konsiderueshme pa pasur konfirmimin për të përcaktuar apo vërtetuar pretendimin përtej dyshimit të arsyeshëm”, tha ai.

Roberts deklaroi se ky është një vlerësim kyç dhe i rëndësishëm për trupin gjykues në momentin kur bëhet vlerësimi i provave që janë para tyre.

Përveç kësaj, Roberts tha se Selimi ka përdorur të drejtën e tij për të mos dhënë dëshmi dhe se intervistat e mëhershme rrjedhimisht nuk i ka korrigjuar dhe as qartësuar.

“Mbrojtja nuk thirri dëshmitarë dhe Selimi përdori të drejtën për të mos dhënë dëshmi. Për rrjedhojë, në këtë Gjykatë asnjë prej fjalëve që mendohet se janë thënë nga zoti Selimi në intervista të tij të dhëna për ZPS-në apo intervistat e tjera, nuk janë të verifikuara apo kontestualizuara apo verifikuara nga ai. Ato nuk i ka korrigjuar, qartësuar, apo ndryshuar këto intervista mbi të cilat mbështetët Prokuroria përkundër shumë dëshmitarëve të Prokurorisë të cilët kanë verifikuar me kujdes deklaratat e tyre të mëparshme e shpesh me ndihmën e avokatit dhe të cilat kanë bërë korrigjime të gjera në deklaratat e tyre”, tha ai.

Roberts tha se Selimi s’ka bërë betim para Gjykatës për të folur për saktësinë e dëshmisë së tij të dhënë për Prokurorinë.

“Zoti Selimi nuk ka bërë betim përpara juve për saktësinë e dëshmisë që e ka dhënë ZPS-së. Siç e di trupi gjykues që një shqyrtim dhe verifikim i hollësishëm që mendohet që dëshmitarët duhet të bëjnë të cilët pastaj paraqiten për të dhënë dëshmi në gjykatë, ka për qëllim që gabimet e bëra në deklaratat e mëparshme, lëshimet, ekzagjerimet, mendimet e gabuara të mëparshme të korrigjohen. Duke qenë se ai po merrej në pyetje për ngjarje që kanë ndodhur përpar 20 vitesh, me pak kontekst u përgjigj atyre pyetjeve pa patur shënime ose referenca të tjera apo burime materiale”, tha ai.

Rrjedhimisht, Roberts tha se nuk është e habitshme që të ketë gabime në deklaratat e mëhershme të Selimit.

“Nuk është e habitshme që të ketë gabime në këto deklarata”, tha Roberts.

Geoffrey Roberts, avokat i Rexhep Selimit ka thënë se klienti i tij është tërësisht i pafajshëm për të gjitha krimet pretenduara në aktakuzë.

Ai këtë e tha këtë sapo filloi deklaratën e tij përmbyllëse të cilën e nisi pas mbrojtjes së Kadri Veselit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Selimi është tërësisht i pafajshëm për secilën prej krimeve të pretenduara në aktakuzë”, tha ai.

Roberts theksoi se Prokuroria nuk ka arritur që të vërtetojë asnjë prej pretendimeve të saj.

“ZPS-ja thjesht nuk ka arritur që të përmbush detyrimin e saj për të vërtetuar asnjërën prej këtyre krimeve të pretenduara përtej dyshimit të arsyeshëm”, tha Roberts.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Sonte në orën 19:00 seanca e Kuvendit të Kosovës

Read Next

Formimi i institucioneve, zhvillim pozitiv e shumë i nevojshëm