Wadehpul: SHBA partnerja më e rëndësishme e Berlinit për sigurinë, pavarësisht tensioneve të fundit

Gjermania nuk synon të mbajë një pozicion neutral mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës  dhe Kinës, ka deklaruar ministri gjerman i Jashtëm, Johann Wadephul, gjatë një fjalimi në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Singapor, sipas Reuters.

“Uashingtoni mbetet partneri më i rëndësishëm i Berlinit dhe i Evropës për çështje të sigurisë, pavarësisht tensioneve të fundit”, theksoi ai

Wadephul përmendi sfidat e marrëdhënieve me SHBA-në, duke përfshirë kritikat e presidentit Donald Trump për objektivat e shpenzimeve ushtarake të Evropës në kuadër të NATO-s.

“Ne nuk mund të përgjigjemi ndaj këtyre tensioneve duke vrapuar me krahë të hapur drejt Pekinit”, tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e një qëndrimi të qartë dhe strategjik në politikën e jashtme.

Ai gjithashtu komentoi pretendimet amerikane mbi Groenlandën dhe nënvizoi se Evropa ka kapacitetin të mbrojë interesat e saj nëse vendos kufij të qartë dhe strategjikë.

“Një qasje e kujdesshme është thelbësore për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajonin euro-atlantik”, theskoi Wadephul.

Për sa i përket ekonomisë, ministri gjerman theksoi rëndësinë e rrjetit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë të Bashkimit Evropian, i cili mbështet tregtinë e bazuar në rregulla, veçanërisht në një kohë kur po rritet proteksionizmi global.

Ai shtoi se BE synon të përfundojë shpejt më shumë marrëveshje tregtare me vendet e Azi-Paqësorit, duke përfshirë Malajzinë, Tajlandën, Filipinet dhe Australinë, në përpjekje për të zgjeruar lidhjet ekonomike dhe për të forcuar rolin e Evropës në tregtinë globale.

Ky qëndrim i Berlinit sinjalizon se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë aleancën transatlantike, duke ruajtur një linjë të qartë strategjike ndaj Kinës, pa u tërhequr nga angazhimet e saj për stabilitetin dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. /ATSH/

Read Previous

Anderlecht shkarkon trajnerin shqiptar Besnik Hasi

Read Next

Kosova, qendër e hendbollit ndërkombëtar në 2026