Lavrov i kërkon Rubios ndalimin e dërgesave të armëve për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara po rrisin ndjeshëm praninë dhe kapacitetet e tyre të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme, në pritje të një vendimi të mundshëm për goditje ushtarake ndaj Iranit, raportojnë zyrtarë amerikanë për The Wall Street Journal.
Sipas gazetës amerikane, një grup goditës i aeroplanmbajtëses i udhëhequr nga USS Abraham Lincoln është transferuar tashmë në rajon, ndërsa avionë luftarakë F-35 dhe F-15E po afrohen më pranë një zone të mundshme përleshjeje.
“Trump nuk ka vendosur ende nëse dhe si do të përdorë forcën. Por sulmet ajrore amerikane ndaj Iranit nuk janë të pashmangshme”, citohet të kenë thënë zyrtarë amerikanë për WSJ-në.
Ata shtojnë se Pentagoni po vendos asete shtesë të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur Izraelin, aleatët arabë dhe trupat amerikane në rast të një sulmi hakmarrës nga Irani dhe të një konflikti të zgjatur.
Zyrtarët vlerësojnë se ushtria amerikane është e aftë të kryejë sulme ajrore të kufizuara ndaj Iranit nëse presidenti jep urdhrin, por paralajmërojnë se çdo veprim i tillë ka shumë gjasa të shkaktojë një reagim simetrik nga Teherani, duke e bërë mbrojtjen ajrore një prioritet kyç.
Në këtë kuadër, Pentagoni ka intensifikuar vendosjen e sistemeve THAAD dhe Patriot në bazat ushtarake amerikane në Jordan, Kuvajt, Bahrein, Arabinë Saudite dhe Katar.
Rajoni tashmë strehon edhe shkatërrues amerikanë të pajisur me kapacitete për mbrojtje anti-raketore, të aftë të interceptojnë raketa balistike dhe dronë. Disa prej këtyre anijeve po patrullojnë pranë Ngushticës së Hormuzit, Detit Arab, Detit të Kuq dhe Mesdheut Lindor, thekson The Wall Street Journal. /Albanianpost.com