Nafta bie mbi 13% pas njoftimeve të Trump për bisedime pozitive me Iranin
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për aksionin ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Prokuroria njofton se janë shoqëruar tre persona, prej tyre zyrtari i Komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë me ryshfet, me qëllim që të ndihmojë të dëmtuarin të realizojë një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qellim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, njofton Prokuroria.
Prokuroria bën të ditur se aksioni u zhvillua në bashkëpunim me Policinë dhe në koordinim me Gjykatën Themelore në Prishtinë me masa të veçanta hetimore.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime Ekonomike, njofton opinionin publik, se Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, me masa të veçanta hetimore ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin e veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ në bazë të nenit 421 të Kodit Penal të Republikes së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në fund, Prokuroria Themelore në Prishtinë inkurajon të gjithë qytetarët të raportojnë për të gjitha veprat penale të natyrës së korrupsionit.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se askush nuk është mbi ligjin.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë lidhur me këtë rast.
Postimi i i plotë i Ramës:
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.
Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Askush mbi ligjin!” /BetimipërDrejtësi