TikTok arrin marrëveshje për një entitet të ri amerikan, i jepet fund sagës ligjore

Creator: ANTONIN UTZ | Credit: AFP via Getty Images

TikTok ka mbyllur një marrëveshje që do të lejojë që aplikacioni jashtëzakonisht i popullarizuar i videove të shkurtra të vazhdojë të funksionojë në SHBA.

Marrëveshja vjen pas një përplasjeve disavjeçare midis Washingtonit dhe Pekinit që filloi në mandatin e parë të Trump në Shtëpinë e Bardhë, kur ai u përpoq pa sukses ta ndalonte aplikacionin për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare.

Platforma duhej të ndalohej në SHBA në janar 2025 nëse pronari i saj kinez, ByteDance, nuk do të arrinte t’ua shiste operacionet e saj në SHBA investitorëve amerikanë.

Por Presidenti Trump shtyu vazhdimisht zbatimin e legjislacionit për të hequr aplikacionin.

Burimi kryesor i mosmarrëveshjes ishte algoritmi i fuqishëm i aplikacionit, i cili dikton përmbajtjen e rekomanduar për përdoruesit.

Tani kjo formulë është licencuar për pronarët amerikanë të aplikacionit dhe do të trajnohet vetëm mbi të dhënat e SHBA-ve.

Ekspertët thonë se kjo me siguri do të sjellë ndryshime, por se si saktësisht ndikon tek 200 milionë amerikanët në aplikacion mbetet e paqartë.

Për çfarë bëhet fjalë në marrëveshje?

Për vite me radhë, Washingtoni ka ushtruar presion mbi TikTok që të shesë operacionet e saj në SHBA, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare në lidhje me pronarin e saj kinez ByteDance.

Ligjvënësit kishin shprehur frikë se Pekini mund ta detyronte firmën të dorëzonte të dhënat e përdoruesve amerikanë. Si TikTok ashtu edhe ByteDance e kanë mohuar vazhdimisht këtë pretendim.

Ideja e një ndalimi të TikTok, e prezantuar për herë të parë nga Trump gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2020, fitoi vrull nën presidencën e Joe Biden.

Në vitin 2024, Biden nënshkroi një ligj që kërkonte që ByteDance të shiste TikTok ose të përballej me një ndalim në SHBA.

Një betejë ligjore pasoi midis ByteDance dhe qeverisë amerikane, dhe në janar të vitit të kaluar aplikacioni u mbyll për përdoruesit amerikanë për 12 deri në 14 orë. Kjo ndërprerje e përkohshme u rivendos pasi Trump, atëherë president i zgjedhur, u zotua të anulonte ndalimin.

Shtatorin e kaluar, Trump njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me Kinën për ta mbajtur aplikacionin në funksion në SHBA.

Dhe në dhjetor, u nënshkruan marrëveshje detyruese me investitorë amerikanë dhe globalë për të operuar biznesin e TikTok në SHBA, sipas një memoje nga drejtori ekzekutiv i saj Shou Zi Chew.

Sipas marrëveshjes, një biznes i ri i quajtur TikTok USDS Joint Venture LLC do të sigurojë të dhënat e përdoruesve amerikanë, aplikacionet dhe algoritmet përmes masave të privatësisë së të dhënave dhe sigurisë kibernetike.

Trump ka dhënë mendimin e tij mbi marrëveshjen, duke shkruar në mediat sociale se ishte “shumë i lumtur që kishte ndihmuar në shpëtimin e TikTok”. /Albanianpost.com

Read Previous

Zelensky: Territori do të jetë temë kryesore në bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi

Read Next

“Ia fusni kot, flisni pa pasur informacion”, Luis Enrique kritikon gazetarët