Raport i brendshëm i BE-së: Schengeni po kthehet në një fortesë

Një raport i brendshëm i Bashkimit Evropian, i siguruar nga organizata monitoruese Statewatch, zbulon planet dhe prirjet për forcimin e mëtejshëm të kontrollit të kufijve dhe politikave të migracionit në zonën Schengen gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, me theks të veçantë te dëbimet, mbikëqyrja dhe militarizimi i kufijve.

Raporti, i njohur si Schengen Barometer+, përgatitet dy herë në vit nga Komisioni Evropian dhe shërben si një “kontroll shëndetësor” për zonën Schengen, e cila përfshin 25 shtete të BE-së dhe katër vende jo-anëtare. Dokumenti u prezantua më 14 tetor 2025 në Këshillin Schengen dhe, sipas Statewatch, shpesh përcakton drejtimin e politikave të ardhshme të BE-së në fushën e sigurisë dhe migracionit.

Migracioni si çështje sigurie

Sipas raportit, migracioni i parregullt drejt BE-së ka rënë në gjysmën e parë të vitit 2025, duke vijuar trendin e vitit 2024.

Megjithatë, dokumenti reflekton shqetësimin në rritje të institucioneve evropiane për atë që e përshkruajnë si “instrumentalizim” ose “armëzim” të migracionit nga aktorë armiqësorë ndaj BE-së.

“Kërcënimet hibride dhe rreziku i armëzimit të migracionit forcojnë nevojën për planifikim emergjent dhe investime të synuara në kapacitete, veçanërisht në kufijtë lindorë të BE-së”, citohet në raport.

Frontex, agjencia evropiane e kufijve, paralajmëron për rrezikun e hyrjes së individëve të trajnuar ushtarakisht përmes flukseve migratore, duke e zhvendosur qartazi diskursin nga humanitar në atë të sigurisë.

Dëbimet në rritje

Raporti tregon se në gjysmën e parë të vitit 2025 janë lëshuar mbi 240 mijë urdhra dëbimi në zonën Schengen, kryesisht në Francë, Gjermani dhe Spanjë.

Nga këta, rreth 57 mijë persona janë deportuar, një rritje prej 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shtetasit gjeorgjianë, turq dhe shqiptarë rezultojnë ndër më të dëbuarit, ndërsa deportimet e shtetasve sirianë janë trefishuar, kryesisht nga Qiproja, Austria dhe Kroacia.

Frontex ka mbikëqyrur gjithashtu mijëra “kthime vullnetare”, megjithëse programet e riintegrimit rezultojnë me pjesëmarrje minimale.

Mbikëqyrje dhe militarizim kufijsh

Sipas Statewatch, raporti evidenton “përparim të ndjeshëm” në mbikëqyrjen e kufijve të jashtëm.

Mbulesa e mbikëqyrjes statike është rritur nga 22 për qind në vitin 2021 në 35 për qind në vitin 2024, ndërsa përdorimi i dronëve është zgjeruar ndjeshëm.

Polonia dhe Finlanda përmenden si shembuj të investimeve të mëdha, ndërsa vende si Italia, Spanja, Greqia dhe Malta po rrisin kapacitetet detare. Megjithatë, raporti paralajmëron se shumë zona kufitare ende nuk kanë mbikëqyrje të vazhdueshme.

2026, vit kyç për politikat e reja

Raporti sinjalizon se viti 2026 pritet të jetë vendimtar për politikat e jashtme të BE-së në migracion, me ligje të reja për ndalimin, policimin dhe deportimin, zgjerim të mëtejshëm të kompetencave të Frontex dhe mundësinë e ngritjes së qendrave të ndalimit jashtë territorit evropian.

Sipas Statewatch, asgjë në këtë raport nuk sugjeron një tërheqje nga kursi aktual: përkundrazi, BE-ja duket e vendosur të thellojë strategjinë e saj për një Evropë gjithnjë e më të mbyllur ndaj migrantëve të padëshiruar. /Albanianpost.com

Read Previous

Policia e Kosovës: Mbi 2 mijë tiketa trafiku për 24 orë

Read Next

Slot: Ja arsyeja pse Liverpool është i paqëndrueshëm këtë sezon