Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Dogana e Kosovës sekuestron 237 mijë ambalazhe të paligjshme për cigare, shmangen humbje fiskale rreth 340 mijë euro.
Dogana e Kosovës njofton se ka sekuestruar 237 mijë ambalazhe të paligjshme për cigare gjatë një kontrolli të detajuar doganor në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit dhe menaxhimit të riskut.
Sipas njoftimit zyrtar, dërgesa e dyshimtë kishte ardhur nga Turqia dhe përmbante gjithsej 237,000 copë/pako për ambalazhimin e 20 cigareve, me mbishkrimin “DRINA”. Malli nuk ishte i deklaruar në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi dhe dyshohet se kishte për qëllim përdorimin për prodhim ose paketim të produkteve të duhanit në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Dogana e Kosovës vlerëson se përmes këtij aksioni është parandaluar një humbje potenciale fiskale prej rreth 340,000 euro.
Menjëherë pas zbulimit, janë ndërmarrë veprimet procedurale përkatëse, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe inicimin e procedurave administrative kundërvajtëse dhe hetimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente. /RTKlive