Dhjetori me fluksin më të madh të pacientëve në Klinikën e Pediatrisë në QKUK gjatë vitit 2025

Gjatë vitit 2025 në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë regjistruar 44,698 vizita në Emergjencën e Pediatrisë dhe 20,765 vizita ambulantore specialistike. Shifrat janë dhënë nga SHSKUK-ja që ka thënë se po ashtu gjatë kësaj periudhe njëvjeçare janë evidentuar 7,937 pranime dhe 7,948 lëshime të pacientëve.

Tutje, SHSKUK thotë se Klinika e Pediatrisë ka funksionuar me 151 shtretër, duke realizuar gjithsej 43,725 ditë mjekimi, me një shkallë mesatare të shfrytëzimit të kapaciteteve prej 79.17%.

“Fluksi më i madh i pacientëve është shënuar gjatë muajit dhjetor, kur janë realizuar 4,775 ditë mjekimi dhe shfrytëzimi i kapaciteteve ka arritur në 101.3%. Vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 4,619 vizita në Emergjencën Pediatrike, 740 pranime dhe 819 lëshime, duke reflektuar një ngarkesë të theksuar të shërbimeve shëndetësore”, thoit SHSKUK-ja.

Ata thonë se duke marrë parasysh faktin se qyteti i Prishtinës nuk ka spital dytësor, Klinika e Pediatrisë në QKUK-së ofron shërbime tretësore për të gjithë territorin e Kosovës, si dhe shërbime shëndetësore dytësore për Prishtinën dhe rrethinën.

“Gjatë vitit 2025, Klinika Pediatrike ka ofruar shërbime të specializuara në kujdesin intensiv pediatrik, hemato-onkologji, kardiologji, pulmologji, endokrinologji, gastroenterologji, neurologji, reumatologji, gjenetikë, nefrologji, si dhe në emergjencën pediatrike e cila përbën një nga pikat kryesore të trajtimit urgjent për pacientët pediatrik”, thuhet në njoftim. /RTKlive

Read Previous

KEK: Rikthehet njësia A3, po operojmë me 5 njësi gjeneruese

Read Next

72 vjet nga lëshimi i nëndetëses së parë