Sorensen: Uroj që viti 2026 të sjellë atë që s’arriti 2025 në dialog

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka kërkuar progres në dialogun Kosovë–Serbi.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Orav tha se shpreson se gjatë vitit 2026 do të ketë përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përveç urimeve për Vitin e Ri, urime edhe për zgjedhjet që sapo keni mbajtur. Pres me padurim të shoh Kuvendin e konstituuar dhe formimin e qeverisë. Por, sigurisht, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë vitit 2025, pavarësisht kësaj, ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut që kemi përpara. Natyrisht shpresojmë që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk e dha, dhe pikërisht për këtë po e nis vitin e punës me një vizitë pune këtu dhe më vonë gjatë javës edhe në Beograd”, tha ai para mediave të mërkurën.

Madje, diplomati danez tha se kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë dhënë zotim se do të jenë të gatshëm të takohen kur BE-ja do t’i thërrasë palët për takim të nivelit të lartë.

“Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në rolin tonë si lehtësues të dialogut: të sigurohemi që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë i vizitoi si Beogradin ashtu edhe Prishtinën vitin e kaluar. Atje kemi marrë zotime se do të ketë një takim kur të vijë koha e duhur. Ajo do t’i thërrasë palët, ato do të vijnë dhe pastaj do të shohim”, shtoi ai.

Vizita e Sorensen vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje ka dalë bindshëm e para me mbi 51 për qind të rezultatit.

Pas takimeve në Prishtinë, Sorensen do të udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo e njëjta ende nuk është zbatuar. /KosovaPress/

Read Previous

Toyota mbetet lider botëror për të gjashtin vit radhazi

Read Next

Witkoff dhe Kushner kërkojnë takim me Putinin për Ukrainën