Sot fillon gjysmëvjetori i dytë: Fushë Kosova, Malisheva dhe Drenasi e shtyjnë nisjen e mësimit

Sot nis gjysmëvjetori i dytë në pothuajse të gjitha shkollat e Kosovës, me përjashtim të disa shkollave në komuna të caktuara, ku fillimi është shtyrë për dy ditë (14 janar) ose për një javë (19 janar), për shkak të gjendjes së rënduar nga vërshimet e fundit, shkruan Reporteri.net.

Disa komune të tjera kanë shtyrë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, konkretisht Komuna e Fushë Kosovës, Drenasit dhe Malishevës.

Drejtoria Komunale për Arsim në Fushë Kosovë ka njoftuar se fillimi i gjysmëvejetorit të dytë në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në këtë komunë është shtyrë për një javë, deri më19 janar.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë duke u bazuar në gjendjen aktuale në territorin e Komunës së Fushë Kosovës, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme, të cilat kanë shkaktuar vërshime në shumë lagje dhe fshatra.

Po ashtu thuhet se janë marrë parasysh vështirësitë serioze në sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore, si dhe temperaturat e ulëta.

Komuna e Malishevës ka njoftuar se mësimi në shkollat e kësaj komune shtyhet deri më 14 janar.

Ky vendim vjen pas situatës së rëndë gjatë këtyre ditëve nga vërshimet e shiut.

Edhe Komuna e Drenasit ka shtyrë rifillimin e procesit mësimor deri të mërkurën si shkak i gjendjes së vështirësuar nga reshjet atmosferike kohëve të fundit në këtë komunë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se vendimi u mor si shkak i rrethanave të krijuara nga bora, ngricat dhe mungesa e ujit.

“Për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit, kam marrë vendim të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor e shkollor në komunën e Drenasit, deri të mërkurën, më 14.1.2026”, thuhet ndër të tjera në postimin e Lladrovcit.

Ministria e Arsimit veçse ka shtyrë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë për 12 janar, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet./Reporteri.net/.

Read Previous

Parashikimi i motit për sot

Read Next

Bie fluksi i mërgimtarëve në pikat kufitare