GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar kërkesën e ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumanit, për t’u angazhuar si ekspert kryesor në një trajnim ndërkombëtar për prokurorë, hetues dhe gjyqtarë nga Kosova, të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Vendimi vjen pak ditë pasi Dumani përfundoi mandatin trevjeçar si drejtues i SPAK.
Aktualisht Dumani ushtron funksionin e prokurorit dhe drejtuesit të sektorit të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë.
Në po të njëjtën seancë, KLP ka emëruar edhe prokurorin Arens Çela në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, me mandat trevjeçar deri në janar 2029.
Vendimi u mor pas miratimit të raportit të vlerësimit dhe verifikimit të pasurisë dhe figurës, duke i konfirmuar Tiranës drejtuesin e një prej prokurorive më të rëndësishme në vend.
Po ashtu KLP ka vendosur edhe nisjen e procedurave të verifikimit për drejtuesit e prokurorive në Lezhë dhe Fier, duke sinjalizuar një fazë të re vlerësimesh në nivelet drejtuese të prokurorisë.
Më herët, delegacioni i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, ka takuar Dumanin.
Gjatë takimit u diskutua për mundësinë që Dumani të shkëmbejë njohuritë, ekspertizën dhe përvojën profesionale të tij me institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë.
“Ky angazhim, i mbështetur përmes projektit tonë, thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të bashkëpunimit praktik në forcimin e sundimit të ligjit”, u tha në njoftimin e Ambasadës. /Albanianpost.com