Hysaj: Kemi kombëtare shumë të fortë, Maran po na jep një dorë për lojë më sulmuese
Kompania gjermane BMW ka njoftuar tërheqjen nga qarkullimi të afro 37 mijë automjeteve të modelit X3 në Shtetet e Bashkuara, për shkak të një gabimi në softuer që mund të shkaktojë lëvizje të paqëllimshme të timonit.
Tërheqja përfshin modelet e viteve 2025 dhe 2026, dhe sipas vlerësimeve të BMW-së, defekti mund të jetë i pranishëm në të gjitha 36,922 automjetet e përfshira në këtë tërheqje.
Problemi shfaqet kur automjeti është i ndalur. Si pasojë e një gabimi softuerik, timoni mund të fillojë të rrotullohet pa e prekur shoferi. Kjo mund të ndodhë si në momentin e ndezjes së motorit, ashtu edhe kur vetura është e ndalur dhe transmisioni është në marsh.
Sipas dokumenteve të Administratës Kombëtare për Sigurinë e Trafikut në Autostrada (NHTSA), nëse një nga dy kanalet e sensorit të asistencës së timonit dështon ndërkohë që automjeti është i parkuar, sistemi mund të mos e identifikojë këtë dështim. Në raste të rralla, kjo çon në lëvizje të rastësishme të timonit.
Rastet konkrete të këtij defekti tashmë janë shfaqur.
Për ta zgjidhur problemin, BMW-ja do të lëshojë përditësim softuerik për sistemin e kontrollit. Në shumicën e rasteve, përditësimi do të instalohet nga distanca përmes teknologjisë “over-the-air” (OTA), pa pasur nevojë për vizitë në servis. Megjithatë, pronarët që dëshirojnë mund ta kryejnë përditësimin falas edhe në një qendër zyrtare shërbimi të BMW-së. /Koha.net/