​Slot merr vendimin e madh për Salah

Mohamed Salah nuk do të udhëtojë drejt Italisë për ndeshjen e Liverpoolit kundër Interit në Ligën e Kampionëve.

Lajmi është konfirmuar nga Fabrizio Romano, i cili raportoi se vendimi është marrë nga trajneri Arne Slot në bashkëpunim me stafin dhe drejtuesit e klubit.

Sulmuesi egjiptian e zhvilloi seancën e fundit stërvitore me skuadrën, por pavarësisht kësaj ai është përjashtuar nga lista e lojtarëve.

Situata ka ardhur pas komenteve të fundit të Salah, të cilat kanë shkaktuar tensione të ndjeshme brenda kampit të Liverpoolit. Klubi ka vendosur që lojtari të mos marrë pjesë në këtë sfidë të rëndësishme europiane, si një masë disiplinore dhe si sinjal për të ruajtur autoritetin dhe harmoninë në ekip.

Ky vendim e vë Salah në qendër të vëmendjes në një moment delikat për Liverpoolin, i cili përballet me sfida të mëdha në Champions League. Pritet që ditët në vazhdim të sjellin zhvillime të tjera mbi të ardhmen e tij dhe marrëdhënien me trajnerin Slot. /KosovaPress/

Read Previous

OEK dorëzon kallëzim penal ndaj ZRRE-së

Read Next

Raporti mujor i punës në spitalin “Isa Grezda”, muaji nëntor 2025