Ministria e Financave e Banka Botërore me marrëveshje 96 milionëshe
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër ish-Kryediplomates së Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini dhe dy zyrtarëve të tjerë, shkruan Reporteri.net.
Në njoftimin e EPPO’së thuhet se që të tre, pas marrjes në pyetje nga policia, janë njoftuar zyrtarisht me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Akuzat lidhen me mashtrim në prokurime dhe korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.
Që të tre janë liruar nga ndalimi, meqë konsiderohen se nuk paraqesin rrezik për arratisje.
“Nuk mund të jepen më shumë detaje për këtë hetim në vijim, në mënyrë që të mos rrezikohet rezultati i tij. Të gjithë personat konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia të vërtetohet nga gjykatat kompetente belge”, thuhet në njoftim.
Rasti përfaqëson një hetim të paprecedentë nga EPPO, e vetmja strukturë e BE-së që trajton çështje penale, e cila u krijua në vitin 2021 për të luftuar mashtrimet ndërkufitare që përfshijnë fondet e BE-së. EPPO mund të çojë çështje penale në gjykatat e 24 shteteve anëtare që janë pjesë e saj, përfshirë Belgjikën.
Çështja fokusohet në atë nëse Kolegji i Evropës, ku Mogherini është Rektore, ose përfaqësues të tij janë informuar paraprakisht për një tender për një program trajnimi për diplomatët e rinj, para hapjes zyrtare të procesit të ofertimit.
EPPO tha se kishte “dyshime të forta” se rregullat për konkurrencë të drejtë janë shkelur dhe se informacion konfidencial ishte shpërndarë me njërin prej kandidatëve në tender. Kolegji i Evropës në Bryzh u shpërblye me një kontratë për të drejtuar Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian për vitet 2021–22, pas një vendimi nga shërbimi i jashtëm i BE-së. EPPO tha se imuniteti i tre të dyshuarve ishte hequr me kërkesën e saj.
Mogherini ishte përfaqësuese e lartë për punët e jashtme nga viti 2014 deri në vitin 2019. Ajo u emërua drejtoreshë e kolegjit pasuniversitar College of Europe më 2020./Reporteri.net