Kusari-Lila: Plani i rritjes nëse nuk miratohet deri në dhjetor, 10% humbin

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Kosova do i humbas 10 për qind nga Plani i Rritjes nga Bashkimi Evropian, në rast se nuk miratohet deri në dhjetor të këtij viti. Ajo ka kritikuar partitë e deritanishme opozitare, për mos prezencën e tyre në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti e cila po merr pjesë në sallë plenare.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari Lila tha se përjashtimisht buxhetit për vitin 2026, pikat tjera të rendit të ditës janë përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Më e lehta është që të abstenohet apo që të mos vihet fare siç kanë bërë fatkeqësisht përfaqësuesit e grupeve tjera parlamentare, ata që nuk janë sot këtu, nga PDK, LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate. Ajo nuk e arsyeton, ose nuk ju heq përgjegjësinë që e kanë dhe mund ta kenë në formimin e institucioneve të përhershme parlamentare. Agjenda e ditës së sotme, përjashto buxhetin për vitin 2026, që është buxhet i propozuar nga qeveria, e cila sipas Ligjit për Buxhetin dhe Ligjin për Qeverinë nuk e përjashton mundësinë që ta prezantojë qeveria në detyrë, të gjitha pikat tjera janë pika të detyrës dhe përgjegjësive të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Formimi i komisioneve parlamentare nuk bëhet me propozimin e qeverisë, formimi i komisioneve të përhershme parlamentare bëhet në mes të grupeve parlamentare, rrjedhimisht mblidhen drejtuesit e grupeve parlamentare, bëjnë propozimin me radhë sipas forcës politike të fituar në kuvend dhe konstitutojnë komisionet parlamentare”, ka thënë ajo.

Ajo i ka ftuar të gjitha grupet parlamentare që të vijnë dhe siç u shpreh Kusari-Lila “t’i thërrasin ndërgjegjes dhe përgjegjësisë”.

“Kush jemi ne në këtë periudhë të vitit të ju mohojmë qytetarëve të Republikës për fonde të drejtpërdrejta buxhetore të cilat humbën në muajin dhjetor. Plani i rritjes, pika e radhës pas formimit të komisioneve parlamentare nga Bashkimi Evropian ka afat skadence, në të cilën në dhjetor të vitit 2025 nëse nuk miratohet, 10 për qind nga 880 milionë euro humbën, janë pa kthim. Nuk mund të kthehen edhe nëse zgjedhjet mbahen me 21 dhjetor, me 28 dhjetor apo kurdo që caktohen edhe nëse zgjedhjet mbahen në pranverë, këto mjete humben. Humbet mundësia e investimit të drejtpërdrejt në politikat zhvillimore, në agjendën e gjelbër, në planin e rritjes së vendit tonë”, ka shtuar Kusari-Lila.

Ajo ka folur edhe për buxhetin për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe miratimin e buxhetit për tri komunat, të cilat janë në rend dite.

“Përkundrejt se ne deputetët kemi marrë pagat për muajin tetor, nuk kanë pagat e muajit tetor [punëtorët e RTK-së]. E ata deputetë të cilët nuk ulen sot këtu në sallë për të votuar raportin e RTK-së le ta mendojnë edhe një herë përgjegjësinë e tyre ndaj 700 familjeve të punëtorëve të RTK-së. E vetmja mundësi për disbursim të mjeteve Radio Televizionit të Kosovës është me miratimin e raportit në Kuvendin e Kosovës dhe kjo bëhet përmes komisionit të përhershëm për buxhet dhe financa. Dhe prapë nuk janë këtu, dhe prapë kjo seancë duhet të vazhdojë deri në momentin kur ata binden për të qenë këtu dhe për të votuar. Tri komuna në Republikën e Kosovës janë pa buxhet të miratuar për vitin 2025”, përfundoi ajo. /KosovaPress/

Read Previous

Barcelona njofton se ndeshja e ardhshme e Ligës së Kampionëve do të luhet në ‘Spotify Camp Nou’

Read Next

Gruda kërkon të ndërpritet seanca për buxhetin: Është jokushtetuese