Rama: Anëtarësimi në BE, tashmë plan pune që procesi të mos ndalet

Kryeministri Edi Rama siguroi sot nga Brukseli se Shqipëria do të bëjë gjithçka për të ecur përpara në të njëjtën intensitet dhe disiplinë në procesin e anëtarësimit drejt Bashkimit Europian.

Pas mbajtjes së Konferencës së 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, kryeministri Rama doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Bashkimin Europian, dhe Marie Bjerre, Ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, vend i cili mban Presidencën e Këshillit të BE-së.

Rama u shpreh se do të sigurohemi që ky proces i përbashkët që po e ndërtojmë gur pas guri së bashku me partnerët tanë në Bruksel dhe në shtetet anëtare, të mos ndalet.

“Kush do ta mendonte që do të ishim këtu sot duke çelur të gjithë grup-kapitujt. Vetëm pak kohë më parë ishte diçka që dukej e pamundur dhe ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet dhe ato grushtet në stomak”, tha Rama.

Kryeministri shprehu besimin se gjithë ai rrugëtim na bëri më të fortë, na bëri më të vetëdijshëm për të gjithë ecurinë e jashtëzakonshme të gjithë këtij procesi.

“Na bëri më të pjekur. Ja ku jemi sot këtu me atë që ishte vetëm ëndërr pak më më tepër se një vit më parë dhe është transformuar tashmë me një plan pune, një realitet me të cilin ne punojmë në jetën tonë të përditshme”, u shpreh Rama.

Rama vlerësoi ndihmën në këtë proces të Komisioneres për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos dhe ministres së Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre, vend i cili mban Presidencën e Këshillit të BE-së.

“Marie Bjerre e falënderoj për transformimin e fjalëve të presidencës daneze të BE-së në vepra kur vjen fjala për zgjerimin, duke mbështetur e inkurajuar për të ecur përpara. Dhe Komisioneren Marta Kos, që është kampione e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe po kështu të gjithë Ballkanit Perëndimor me zjarr dhe me vullnet të plotë dhe që na bën të gjithëve të ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk e realizojmë në kohën e duhur”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh po ashtu se ndihet i frymëzuar nga të gjithë këta muaj dhe nga mbështetja e fortë që po merr procesi i zgjerimit apo procesi i ribashkimit të Europës për ne.


Rama: Skepticizmi mes shqiptarëve nuk lidhet me BE, por me realizimin e objektivit të anëtarësimit

Pas mbajtjes së Konferencës së 7-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, kryeministri Edi Rama theksoi përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe nënvizoi rëndësinë e përkushtimit dhe këmbënguljes për arritjen e këtij qëllimi historik.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në BE, dhe Marie Bjerre, ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Rama theksoi se skepticizmi ndaj procesit nuk lidhet me qëndrimin ndaj Bashkimit Europian, por me pyetje legjitime për realizimin e objektivit të anëtarësimit.

Ai shpjegoi se procesi i negociatave ka ndihmuar Shqipërinë të konsolidojë institucionet, të forcojë sundimin e ligjit dhe të zbatojë standardet europiane, duke e bërë vendin më të fortë dhe më funksional.

Duke iu referuar pyetjes për skeptikët, Rama tha se skeptikë në Shqipëri janë ata që janë plotësisht të përkushtuar dhe të dashuruar me BE dhe kanë pyetje, pikëpyetje për ne, për BE-në. “A do të ndodhë vërtet, a është reale, a do të marrim më në fund atë për të cilën kemi ëndërruar për kaq gjatë, apo do të kemi edhe një herë një periudhë si më parë”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se përfitimet e këtij procesi shkojnë përtej negociatave formale, duke krijuar një vend me institucione të qëndrueshme, respekt për të drejtën dhe standarde europiane.

Ai vuri në dukje se ky moment historik nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e vazhdueshëm dhe se skepticizmi nuk duhet të ndalojë përpjekjet e Shqipërisë për të arritur ëndrrën europiane.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u shpreh se hapja e kapitujve është rezultat i punës së palodhur të Shqipërisë dhe se qytetarët janë ata që japin rezultatet konkrete.

“Ne mund të ofrojmë mbështetje dhe të jemi krah jush, por janë rezultatet tuaja që bëjnë ndryshimin”, tha ajo, duke shtuar se përgjegjësia për suksesin europian i takon të dyja palëve, qeverisë shqiptare dhe institucioneve të BE-së.

Ndërsa ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre vlerësoi se hapja e kapitujve është një “gur kilometrik” për Shqipërinë dhe një shembull frymëzimi edhe për vendet e tjera kandidate.

Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të punës, duke paralajmëruar se negociatat dhe mbyllja e kapitujve do të jenë sfiduese, por përparimi i Shqipërisë kontribuon edhe në forcimin e Bashkimit Europian.


Hapja e të gjithë grup-kapitujve të negociatave me BE-në, Rama: Krenar për skuadrën e Shqipërisë

Në Bruksel u mbajt sot Konferenca e 7-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku u çel grup-kapitulli i fundit të negociatave.

Kryeministri Edi Rama u shpreh krenar për skuadrën e Shqipërisë, e angazhuar për hapjen e negociatave.

“Kjo është pjesë e skuadrës së negociatave që drejtohen nga këto dy zonja, Majlinda dhe Adea, dhe që sot ishin të pranishëm në mbledhjen e fryteve të para të punës së tyre, pasi u hapën të gjithë kapitujt dhe dua t’i falënderoj me respekt dhe admirim të gjithë negociatorët dhe qindra të tjerët që nën drejtimin e tyre, e bëjnë krenare Shqipërinë këtu në Bruksel dhe nuk është e lehtë”, tha Rama.

Shqipëria çeli sot negociatat për Grup-Kapitullin V: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”, i cili shënon hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë rekord prej 12 muajsh.

Grup-kapitulli V përfshin pesë kapituj thelbësorë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, me ndikimin më të drejtpërdrejtë tek prodhimi, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i balancuar i territorit:

  • “Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” (kapitulli 11);
  • “Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitare”, (kapitulli 12);
  • “Peshkimi” (kapitulli 13);
  • “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumentave strukturore” (kapitulli 22), si dhe
  • “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore (kapitulli 33).

Përmes këtij Grupkapitulli, Shqipëria përfiton lidhur me modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor.

Një vend të veçantë zë forcimi i mekanizmave të kontrollit të sigurisë ushqimore dhe përafrimi me standardet e BE-së, ndërsa sektori i peshkimit dhe akuakulturës synon të përfitojë nga rregullat dhe programet europiane për menaxhim të qëndrueshëm.  /ATSH/

Read Previous

Marta Kos: Shqipëria, shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit

Read Next

​Kosova sfidon Zvicrën për talentet dhe kualifikimin