Kurti për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Pesë vite pas hekurave, pa arsye ligjore e morale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me qëndrimin në paraburgim të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.,

Kurti ka theksuar se pesë vite pas arrestimit të tyre nuk ka më arsye për vazhdimin e kësaj mase.

Reagimi i plotë i Albin Kurtit:

“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë.

Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.

Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.

Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet.

Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar.

E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë.

Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje.Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre.”

Read Previous

5 vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, Krasniqi: Procesi po zvarritet, padrejtësia po rritet

Read Next

Tesla thotë se Musk duhet të paguhet 1 trilion dollar, a do të bien dakord aksionarët?