Takimi Osmani-Kurti, një ditë para përfundimit të afatit 10-ditor

Presidentja Vjosa Osmani raportohet se ka pritur në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në Zyrën e Presidencës, një ditë para përfundimit të afatit 10-ditor, brenda të cilit Osmani duhet të mandatojë një kandidat të ri për kryeministër ose të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Albanian Post ka kontaktuar Zyrën e Presidencës për këtë takim, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Në takimin e së premtes mes Osmanit dhe shefave të partive politike, ish-opozita ka kërkuar që vendi të shkojë drejtpërdrejt në zgjedhje, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka insistuar që të caktohet një mandatar i dytë për formimin e Qeverisë.

Osmani, pas takimit me liderët e partive, u shpreh se Kurti do të zhvillojë fillimisht konsultime brenda Lëvizjes Vetëvendosje, pas të cilave do të vendosë nëse do të paraqesë apo jo një propozim për mandatar të ri.

Edhe pse ish-opozita kërkoi zgjedhje të reja, Osmani potencoi se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e obligojnë atë të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve nëse ekziston mundësi për formimin e qeverisë.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, pasi asnjë subjekt politik nuk ka arritur të sigurojë shumicën për formimin e qeverisë. Kërkesën e ngjashme e pati edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Në një linjë të ngjashme ishte shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me Osmanin.

Kosova është zhytur në krizë që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat u zhvilluan para pothuajse dhjetë muajsh, derisa vendi mund të përfundojë në një cikël të ri zgjedhor në dhjetor, në përpjekje për t’iu kthyer normalitetit. /Albanianpost.com

Read Previous

Nëntë ndeshje në Ligën e Kampionëve: Vëmendja te dy super përballje, në Liverpul dhe Paris

Read Next

Merz: Refugjatët sirianë në Gjermani duhet të kthehen në shtëpi ose do të përballen me dëbim