Bashkimi Evropian po përpiqet të ulë varësinë nga Kina për mineralet e rralla

Bashkimi Evropian po përpiqet me shpejtësi të zgjidhë mosmarrëveshjen tregtare me Kinën lidhur me kontrollet e eksportit të mineraleve të rralla, ndërkohë që kërkon të zvogëlojë varësinë nga furnizimet kineze dhe të rrisë prodhimin vendas.

Ndërsa BE-ja ende po kërkon një përgjigje ndaj kufizimeve të Pekinit, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar përparim në negociatat e tyre me Kinën.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se kishte arritur një marrëveshje me presidentin kinez Xi Jinping për këtë çështje, por ndikimi i saj mbi bisedimet BE–Kinë mbetet i paqartë. “Ne mirëpresim çdo zhvillim që lehtëson tregtinë globale,” deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian, duke theksuar se bisedimet teknike të nivelit të lartë po zhvillohen në Bruksel.

Këtë muaj, Kina njoftoi kontrolle të reja mbi eksportet e mineraleve të rralla, materiale të rëndësishme për prodhimin e magnetëve në industrinë automobilistike, elektronike dhe atë të mbrojtjes. Sipas BE-së, këto masa kanë detyruar disa kompani evropiane të ndalojnë prodhimin, duke shkaktuar dëme ekonomike dhe duke rrezikuar zinxhirët globalë të furnizimit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se kriza ka treguar nevojën urgjente për një paketë masash që do të reduktojë varësinë e Evropës nga importet e lëndëve të para kineze.

“Ne jemi të gatshëm të përdorim të gjitha mjetet tona për të mbrojtur industrinë evropiane,” u shpreh ajo.

BE-ja varet gjerësisht nga Kina për furnizimin me materiale kritike si litiumi, kobalti, nikeli dhe disa minerale të rralla që përdoren në panelet diellore, bateritë dhe gjysmëpërçuesit. Edhe pse këto materiale nuk janë gjeologjikisht të rralla, ato janë të vështira për t’u nxjerrë dhe për t’u përpunuar, gjë që i ka dhënë Kinës një përparësi dominuese në treg.

Sipas ekspertëve evropianë, rreziku më i madh nuk qëndron vetëm tek nxjerrja, por tek përpunimi dhe rafinimi ,një sektor ku Kina ka krijuar një kapacitet shumë më të madh se Evropa. “Kjo varësi rrezikon industrinë evropiane të automobilave, energjisë, kimisë dhe farmaceutikës”, tha Zuzana Krulichová nga Universiteti Karl në Pragë.

Për të përballuar këtë sfidë, BE-ja ka miratuar “ Aktin për Materialet e Ralla, që synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe të zhvillojë zinxhirë prodhimi brenda Unionit. Komisioni ka përzgjedhur 47 projekte strategjike në 13 vende anëtare, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Italinë, Çekinë dhe Portugalinë, për të nxitur prodhimin dhe përpunimin e këtyre materialeve.

Von der Leyen njoftoi gjithashtu plane për të krijuar një platformë të përbashkët evropiane për blerjen dhe ruajtjen e lëndëve të para kritike. Bashkë me partnerë si Australia, Kanadaja, Ukraina dhe Groenlanda, BE-ja synon të sigurojë një furnizim më të qëndrueshëm dhe të shmangë varësinë strategjike nga Kina në të ardhmen.  /ATSH-DPA/

Read Previous

Aeroporti i Berlinit ndalon fluturimet pas shfaqjes së një droni

Read Next

Administrata Trump refuzon pjesëmarrjen në samitin e OKB-së për klimën