Gjimshiti – Ajeti, partneriteti që nisi te Zvicra U19 e që po sjell stabilitet te Shqipëria

Në nivel klubesh rrugëtimin e kishin goxha të ndryshëm. Por jo edhe në nivel të përfaqësueseve. 
Berat Gjimshiti e Arlind Ajeti nisën të luajnë së bashku me fanellën e Zvicrës. Tani janë te Shqipëria dhe formojnë “murin”, shpesh të pakalueshëm, në qendër të mbrojtjes. Ky mur nuk u kalua atëherë kur vlejti ndoshta më së shumti – në ndeshjen me Serbinë në Leskovc. Dhe Gjimshiti e Ajeti morën lëvdata të shumta për këtë.

Gjimshiti e Ajeti janë 32-vjeçarë. Kapiteni Gjimshiti është i lindur në Zurich të Zvicrës dhe është rritur te skuadra e Zurichut. Prej vitit 2016 është tek Atalanta në Serie A, ndërsa kishte periudha huazimi tek Avellino dhe Benevento. Për shumë vjet, Gjimshiti vlerësohet prej mbrojtësve më stabilë të Serie A. Në elitën italiane tani i ka plot 258 ndeshje. Në Superligën e Zvicrës i kishte 110 ndeshje, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka arritur shifrën e 31 paraqitjeve.

Me Atalantan e fitoi Ligën e Evropës vitin e kaluar, madje ngriti trofeun si kapiten.

Ajeti ka lëvizur shumë më tepër në karrierë. Aktualisht është te Bodrumi, vetëm në kategorinë e dytë turke. Ai është i lindur në Basel të Zvicrës dhe është zhvilluar në klubin me emrin e njëjtë. Pas Baselit luajti në Itali për skuadra si Frosinone, Torino e Crotone. U kthye në Zvicër te Grasshopperi, vazhdoi te Vejle në Danimarkë, sërish në Itali te skuadra si Reggiana, Padova e Pordenone. Luajti më pas te Cluji në Rumani, ku në një mënyrë ngjalli karrierën dhe prej vitit të kaluar paraqitet për Bodrumin.

Ajeti më së shumti paraqitje ka në Serie C, që është niveli i tretë i futbollit italian. Në këtë ligë i ka luajtur 49 ndeshje për skuadra si Padova e Pordenone. Në Superligën e Zvicrës i ka 43 paraqitje, në Serie A ka luajtur 41 herë, por ka paraqitje edhe në plot liga e gara të tjera.

Ndonëse jo në nivel të lartë aktualisht, Ajeti është shumë i rëndësishëm te Shqipëria. Sidomos kur luan në partneritet me Gjimshitin.

Por ku nisi rrugëtimi i tyre i përbashkët?

Te Zvicra. 

Të rritur në dy prej klubeve kryesore të Zvicrës, Zurichu e Baseli, Gjimshiti e Ajeti luajtën krah njëri-tjetrit së pari më 5 qershor 2011. Ishte ndeshje e Zvicrës U19 ndaj Malit të Zi U19 dhe i takonte kualifikimeve për Evropian. Zvicra fitoi 3:2./koha.net

Read Previous

Youtube ndryshon përgjithmonë mënyrën se si i shohim videot

Read Next

Ministri i Jashtëm i Sirisë: Njohja e Kosovës u arrit me mbështetjen e Turqisë