Policia kufitare e Kakavijës ka bërë të ditur se ditën e hënë më 27 tetor duke nisur nga ora 06:00 deri në 10:00 nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijë.
Sipas policisë kufitare, masat vijnë si pasojë e grevës së doganierëve grekë, për të cilën Policia Kufitare Kakavijë është njoftuar zyrtarisht nga homologët grekë përmes Qendrës së Përbashkët të Shkëmbimit të Informacionit.
Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë këtij orari do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe automjetet me emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare rekomandon qytetarët që të planifikojnë udhëtimet me automjete në orare të tjera të ditës për të shmangur vonesat.
“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se më datë 27.10.2025, nga ora 06:00 deri në orën 10:00 (me orën shqiptare), në PKK Kakavijë nuk do të lejohet lëvizja e mjeteve, për shkak të grevës së doganierëve.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete në orare të tjera të ditës”, thuhet në njoftimin e policisë. /rtsh.al/