Britania e heq HTS-në e Al-Sharaas nga lista e organizatave terroriste

Qeveria britanike të martën e largoi grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS) nga lista e organizatave të ndaluara terroriste. Ky grup e udhëhoqi aleancën e rebelëve sirianë që e ndihmoi rrëzimin e presidentit Bashar al-Assad.

HTS, dikur filial i al-Qaedas, ishte futur nga Londra në listën e organizatave terroriste në vitin 2017, duke i bërë të paligjshme mbështetjen për grupin ose anëtarësimin në të, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Britania kishte thënë në dhjetorin e vitit të kaluar se mund ta rimendonte këtë cilësim për HTS-në, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, e largoi në korrik të këtij viti grupin sirian nga lista e organizatave terroriste.

Mbretëria e Bashkuar ishte renditur me shtetet e tjera duke e mirëpritur fundin e qeverisjes autokratike të Assadit, zhvillim që e shënoi njërën nga kthesat më të mëdha për Lindjen e Mesme në disa gjenerata dhe erdhi pas luftës së gjatë civile. Udhëheqësi i atëhershëm i HTS-së, Ahmed al-Sharaa, u bë president i Sirisë.

Qeveria britanike tha në një deklaratë se heqja e HTS-së nga lista e organizatave terroriste do të lejojë angazhim më të ngushtë me pushtetin e ri në Siri si dhe bashkëpunim me këtë shtet për eliminimin e programit të armëve bërthamore të periudhës së Assadit.

“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë që të kërkojë progres të vërtetë dhe ta mbajë përgjegjëse Qeverinë e Sirisë për veprimet e saj në luftimin e terrorizmit dhe rivendosjen e stabilitetit në Siri dhe më gjerë në rajon” – thuhet në deklaratë.

Më herët të martën, ministri i Ekonomisë i Sirisë, Mohammad Nidal al-Shaar, i tha agjencisë “Reuters” në një konferencë në Londër se ai shpreson që sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj vendit të tij do të hiqen formalisht në muajt në vijim.

Në korrik të këtij viti, sekretari i Jashtëm i Britanisë atëherë, David Lammy, e vizitoi Sirinë, ku u takua me presidentin Al-Sharaa.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Bloomberg: Evropa dhe Kievi po përgatisin një plan me 12 pika për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Read Next

Aeroplani luftarak turk pa pilot përfundon fluturimin e parë me radar