Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar me një takim me mërgatën shqiptare në Londër, ku ka folur për partneritetin Kosovë–Britani dhe ka bërë thirrje për më shumë investime nga diaspora.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është ndërtuar mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ekonomisë dhe diplomacisë, duke shtuar se ky raport forcon lidhjet dypalëshe dhe kontribuon në paqe, stabilitet dhe mirëqenie të ndërsjellë.
Kurti nënvizoi rolin e diasporës, duke përmendur programin Citizen Diplomacy Fellowship, që sjell profesionistë nga mërgata në institucione publike, si dhe Dritaren e Investimeve të Diasporës, që u mundëson mërgimtarëve të marrin kredi pa kolateral për të investuar në Kosovë.
Duke ftuar mërgatën të qëndrojë e lidhur me vendin, Kurti u shpreh se qeveria është e gatshme të thellojë bashkëpunimin dhe të mundësojë iniciativa të reja që sjellin zhvillim ekonomik dhe afrimin e diasporës me Kosovën.
Në ngjarje ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti.