Pasi automjetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) shkuan gabimisht në veri të Mitrovicës, nga FSK dalin me sqarim.
Sipas shefit të shtabit të zyrës për informim nga FSK-ja, Vëllazërim Qerimi ka thënë gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes.
“Forca Sigurisë së Kosovës sqaron se sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, tha Qerimi.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, konfirmoi se automjetet ishin të FSK-së. Ai shtoi se ata kaluan rreth pesë minuta në një stacion karburanti, ku policia i ka parë dhe i ka pyetur për situatën.
Sipas Elshanit, pjesëtarët e FSK-së u përgjigjën se kishin gabuar vendndodhjen dhe menduan se ishin në Mitrovicën e Jugut.
Elshani gjithashtu theksoi se pjesëtarët e FSK-së nuk kishin armë.
Kur u pyet nga “KoSSev” sesi është e mundur që FSK-ja të bëjë një gabim të tillë në përcaktimin e vendndodhjes, ai u përgjigj se kjo është “pyetje e mirë”, por për FSK-në.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së. /GazetaSinjali/