Aeroporti i Stambollit mbetet më i ngarkuari në Evropë me 1.587 fluturime ditore
Menaxheri i lartë te Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se situata e krijuar në vend mund të përshkallëzohet nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë politike. Ai ka bërë thirrje që dhuna të ndalet menjëherë, por njëkohësisht ka kërkuar që kërkesat e qytetarëve që prej ditësh po protestojnë të marrin përgjigje institucionale.
Cakolli ka thënë se përgjegjësia më e madhe për krijimin e një hapësire për zgjidhje bie mbi pushtetin, pasi, sipas tij, ai ka numrat dhe mjetet institucionale për të vepruar.
“A jemi duke e ditë ku mundet me na çu kjo situatë, nëse lihet kështu? Dhuna duhet me marrë fund menjëherë. Por edhe kërkesat që i kanë mbajtur qytetarët në rrugë prej ditësh, e sidomos sot, kërkojnë përgjigje dhe veprim të menjëhershëm politik”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, në këtë situatë barra më e madhe bie mbi pushtetin, i cili ka mundësi më të madhe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje.
“Normalisht, për shkak të numrave dhe mjeteve institucionale, barra më e madhe bie mbi pushtetin, që ka edhe mundësinë më të madhe me kriju hapësirë për një zgjidhje”, ka deklaruar ai.
Cakolli ka paralajmëruar se nëse kriza mbetet e hapur dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve, situata mund të bëhet edhe më e tensionuar.
“Nëse kjo krizë mbetet e hapur dhe kështu shkojmë drejt zgjedhjeve, ato veçse kanë me e ashpërsu përplasjen. Madje, me këtë shkallë polarizimi, rrezikojmë që krejt procesi zgjedhor me u përcjellë me tensione, incidente e deri në përplasje qytetare”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka thënë se edhe pas zgjedhjeve, problemi politik mund të mbetet i njëjtë, por me vështirësi edhe më të mëdha për t’u zgjidhur.
“E edhe pas tyre, problemi politik do të jetë i njëjtë, veçse edhe më vështirë i zgjidhshëm”, ka thënë ai.
Cakolli ka bërë thirrje për reflektim të menjëhershëm, duke paralajmëruar se vonesa mund ta përkeqësojë edhe më tej situatën.
“Prandaj, është koha e fundit që me reflektu. Pasnesër mund të jetë shumë vonë”, ka shtuar Cakolli.