Konflikti në Lindjen e Mesme, vijojnë bisedimet për planin 20 pikësh të SHBA-së

Konflikti në Lindjen e Mesme arriti në ditën e 728 dhe bisedimet ndërmjet arabëve dhe Hamasit për planin me 20 pika të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’i dhënë fund luftës në Gaza, vazhdojnë.

Sipas medias izraelite The Times of Israel, sot mund të pritet një përgjigje nga Hamasi rreth planit 20-pikësh të SHBA-ve, teksa e përditshmja libaneze Al-Akhbar raportoi se vërejtjet paraprake ju përcollën presidentit amerikan Donald Trump nga Emiri i Katarit gjatë një bisede telefonike.

Mediat raportojnë gjithashtu se zyrtarët amerikanë i kanë bërë të qartë Kajros se plani Trump është shansi i fundit përpara se të lejohet Izraeli të kryejë një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në Gaza, në një kohë kur sulmet vijojnë dhe nevoja për ndihma është emergjente.

Presidenti amerikan po kërkon që Hamasi të lirojë të gjithë pengjet që mban brenda 72 orëve dhe të mos ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës në të ardhmen, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të tërhiqen gradualisht, për t’u zëvendësuar nga një forcë ndërkombëtare.

Ndërsa priten zhvillime rreth planit me 20 pika të SHBA-ve, numri i anijeve të sekuestruara nga flotilja Sumud, nga forcat izraelite, është rritur: 42 nga 47 gjithsej, dhe sipas organizatorëve shumica e tyre janë ndaluar ditën e enjte.

Nga rreth 500 vullnetarë, nga 40 vende të botës dhe sipas shërbimit të burgjeve izraelite, 200 të ndaluar nga flotilja Sumud janë transferuar në burgun Ketziot, ku do t’i nënshtrohen procedurave ligjore nga autoriteti i policisë dhe imigracionit. /rtsh.al/

Read Previous

Rubin: Haga të bëjë gjënë e duhur, t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së

Read Next

Ursula von der Leyen do të vizitojë Kosovën më 15 tetor