Trump: Ndeshjet e Botërorit 2026 mund të zhvendosen nga qytetet që nuk garantojnë siguri

Credit: Getty Images

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se ndeshjet e Kupës së Botës 2026 mund të zhvendosen nga qytetet e përzgjedhura nëse ato konsiderohen të pasigurta.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se i njëjti parim do të vlejë edhe për Lojërat Olimpike të vitit 2028 në Los Anxhelos.

“Pres që Kupa e Botës të zhvillohet në kushte shumë të sigurta, por nëse mendoj se një qytet nuk është i tillë, do ta zhvendosim turneun diku tjetër”,  tha presidenti. “Nëse nuk është e sigurt, nuk do të mbahet aty”.

Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht qeverisjen e qyteteve demokrate për shkak të rritjes së krimit, tha se shpreson të mos ketë nevojë për zhvendosje.

Shtetet e Bashkuara do të organizojnë turneun me 48 ekipe së bashku me Meksikën dhe Kanadanë.

Qytetet amerikane pritëse janë: Sietëll, San Françisko, Atlanta, Boston, Dallas, Hjuston, Los Anxhelos, Kansas, Majemi, Nu Jork, Nju Xhersi dhe Filadelfia.

Presidenti ka dërguar Gardën Kombëtare në Los Anxhelos dhe Uashington për të luftuar kriminalitetin, dhe ka paralajmëruar se mund ta dërgojë gjithashtu në Memphis e ndoshta edhe në Çikago.

Megjithatë, ekspertët vënë në dyshim nëse qeveria amerikane ka të drejtë ligjore për të ndryshuar qytetet pritëse të Kupës së Botës, pasi kontratat janë nënshkruar me FIFA-n, organizatën ndërkombëtare të futbollit. /ATSH-DPA/

Read Previous

Starmer: ID digjitale e detyrueshme për punësim në Britaninë e Madhe

Read Next

​2.3 milionë vizitorë të huaj gjatë gushtit në Shqipëri