OSBE e shqetësuar pas mbylljes së shërbimeve të sistemit të Serbisë në veri

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim të madh lidhur me ndikimin që ka mbyllja e zyrave të shërbimeve në Mitrovicën e Veriut, për komunitetet jo-shumicë që varen nga to për nevoja themelore.

Në një postim zyrtar në Facebook, OSBE thekson se ndërprerja e këtyre shërbimeve ka ndikim të rëndë veçanërisht te grupet më të ndjeshme të popullsisë.

“Ndërprerjet e këtyre shërbimeve prekin në mënyrë të veçantë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me mundësi të kufizuara, të cilat varen nga këto zyra për shëndetësi, pagesa pensionale, materiale shkollore dhe mbështetje sociale”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

Organizata nënvizon se çdo masë që ndikon në shërbimet publike duhet të zbatohet me kujdes, duke garantuar qasje të pandërprerë për të gjitha komunitetet:

“Çdo masë që ndikon në shërbimet publike duhet të sigurojë qasje të pandërprerë për të gjitha komunitetet, ndërsa mosmarrëveshjet adresohen përmes Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me konsultim domethënës lokal”, theksohet në deklaratë.

Misioni i OSBE-së shton gjithashtu se do të vazhdojë monitorimin e situatës në përputhje me mandatin e saj.

“Do të vazhdojmë ta monitorojmë nga afër situatën në kuadër të mandatit tonë për paralajmërim të hershëm dhe mbështetje të komuniteteve gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme”, përfundon deklarata.

Ndërkohë, Inspektorati i Komunës së Mitrovicës së Veriut, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se ka pezulluar punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe të Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

Komuna bëri të ditur se më 12 shtator, me asistencën e Policisë së Kosovës, janë kryer kontrolle në objektet ku këto institucione operonin.

“Gjatë kontrollit është konstatuar se personat e hasur në objekt nuk kanë pasur dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë së përmendur. Për këtë arsye, puna është pezulluar përkohësisht, ndërsa procedura e mëtejshme do të zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjet dhe kompetencat në fuqi”, deklaroi Komuna e Mitrovicës së Veriut.

/Sinjali/

Read Previous

Fillon shpërndarja e librave shqip për nxënësit e diasporës në Gjermani

Read Next

Trump u kërkon vendeve të NATO-s të ndalojnë blerjet e naftës nga Rusia përpara sanksioneve amerikane