Gjykata e Lartë e BE-së kundër ndërtimit të centralit bërthamor rus në Hungari

Gjykata e Lartë e BE-së tha dje se Komisioni Evropian nuk duhej të kishte miratuar ndihmën shtetërore hungareze për zgjerimin e centralit të saj bërthamor “Paks” nga një kompani ruse, duke vendosur se Komisioni nuk kishte kontrolluar nëse kontrata përmbushte rregullat e BE-së, sipas “Reuters”.

Hungaria i dha të drejtën e ndërtimit, kompanisë ruse “Nizhny Novgorod Engineering”, si pjesë e një marrëveshjeje midis Rusisë dhe Hungarisë mbi përdorimin paqësor të energjisë bërthamore.

Rusia nga ana tjetër i dha Hungarisë një kredi shtetërore për të financuar pjesën më të madhe të prodhimit të reaktorëve të rinj, dhe Komisioni Evropian e miratoi planin në vitin 2017.

Kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore “Rosatom”, e cila nënshkroi një marrëveshje me Budapestin për të ndërtuar dy reaktorë 1,2 gigavat në “Paks” – tha në një deklaratë të mërkurën se do të vazhdonte të ekzekutonte projektin.

“Detyra kryesore e “Rosatom” mbetet të zbatojë projektin në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe në përputhje të plotë me detyrimet kontraktuale”, tha kompania.

Austria fqinje paraqiti një ankesë në lidhje me ndihmën shtetërore të përfshirë në marrëveshje në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së në vitin 2018, por e humbi çështjen.

Më pas, ajo paraqiti një apel në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së, e cila tha dje se Austria kishte të drejtë – kur njoftoi se Komisioni duhej të kishte shqyrtuar fillimisht nëse rregullat e prokurimit të BE-së ishin në përputhje – përpara se t’ia jepte drejtpërdrejt kontratën e ndërtimit kompanisë ruse. /ATSH/

Read Previous

Begaj mandaton Ramën për formimin e qeverisë së re

Read Next

Deputeti francez kërkon hetim penal ndaj TikTok-ut