Kryeministri britanik, Keir Starmer shkarkoi sot ambasadorin e Britanisë së Madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Peter Mandelson – për lidhjet e tij me autorin e dënuar për abuzime seksuale, Jeffrey Epstein.
Në një deklaratë sot në Dhomën e Komuneve, ministri i Ministrisë së Jashtme, Stephen Doughty tha se vendimi ishte marrë pas publikimit, këtë javë të email-eve që Mandelson i kishte dërguar Epstein në vitet 2000 – në të cilat ai i dha mbështetjen e tij financierit amerikan edhe kur ai përballej me burgim për abuzime seksuale.
Doughty tha se email-et tregonin se “thellësia” e marrëdhënies së Mandelson me Epstein ishte “materialisht e ndryshme” nga ajo që dihej – kur ai u emërua ambasador në Uashington vitin e kaluar pas fitores së Partisë Laburiste.
Mandelson, i cili mori postin në shkurt të këtij viti, ka shprehur keqardhjen e tij të thellë për lidhjet e tij të mëparshme me Epstein duke shtuar se ai nuk dinte asgjë për aktivitetet e tij kriminale.
“Në kuadër të informacionit shtesë në email-et e shkruara nga Peter Mandelson, kryeministri i ka kërkuar sekretarit të Jashtëm ta tërheqë atë nga detyra e ambasadorit në SHBA”, tha Doughty.
Në veçanti, ai vuri në dukje sugjerimin e Mandelson se dënimi i parë i Epstein në vitin 2008 ishte i gabuar dhe se duhej të kundërshtohej.
Gjykimi i Starmer po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, veçanërisht për emërimin e Mandelson, i cili është përfshirë në një seri polemikash, pasi ka dhënë dy herë dorëheqjen nga qeveria e ish-kryeministrit Tony Blair në vitin 1998 dhe 2001.
Mandelson, u bë komisioner Evropian kur Britania e Madhe ishte ende në Bashkimin Evropian, përpara se të kthehej në vijën e parë të politikës britanike në vitin 2008 – për të shërbyer nën drejtimin e pasardhësit të Blair, Gordon Brown.
Ekspertiza tregtare e Mandelson u konsiderua si një aset i madh në përpjekjen për të bindur administratën Trump – të mos vendoste tarifa të mëdha për mallrat britanike dhe dukej se ia vlejti kur vendet arritën një marrëveshje tregtare në maj, megjithëse disa detaje të marrëveshjes ende nuk janë finalizuar.
Është e rrallë që një politikan, në vend të një nëpunësi civil në karrierë, t’i jepet një post kyç ambasadori në Britaninë e Madhe. /ATSH/