“Shqipëria po kthehet në një shtet policesk,” deklaroi të martën kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në konferencën e radhës për gazetarët, kreu i demokratëve akuzoi kryeministrin Edi Rama si ideatorin e vendosjes së një sistemi përgjimi të ngjashëm në model me atë të ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës komuniste. Ai tha se i ashtuquajturi “Smart City”, projekt që përfshin instalimin e mijëra kamerave inteligjente në ambientet publike, po ashtu synon pikërisht të mbjellë frymën e kontrollit total mbi çdo hapësirë publike dhe private.
“Ai po punon ditë e natë për ndërtimin e shtetit më policesk të planetit. Dhe ai nuk po e fsheh këtë më, po tregohen të verbër dhe konformistë njerëzit ndaj tij, kurse ai publikisht ai kur vendosi bllokimin e TikTokut, vendosi të gjithë teknologjinë e regjistrimit të përgjithshëm të çdo lloj komunikimi në Shqipëri, teknologji të cilën nuk e ka vendosur asnjë vend tjetër, sepse ajo është teknologjia më policeske, me të cilën kontrollohet totalisht privatësia e çdo qytetari, shqiptar apo të huaj.
Smart City në një vend demokratik ka synim t’u japë qytetarëve informacionin e duhur në të gjitha shërbimet, trafikun, etj, por nuk ka synim kurrë t’i përgjojë, t’i spiunojë ata në këtë mënyrë. Unë mendoj se çdo shqiptar duhet të kuptojë se vëzhgimi i tij, mbikëqyrja e tij policeske përbën fundin e çdo privatësie për të. Në një shkallë të tillë nuk e ka bërë kurrë Sigurimi i Shtetit, sado numrin e agjentëve, sado regjistrues që vendoste, por nuk ka vendosur kurrë regjistrues në klasa të nxënësve. Nuk ka shndërruar mësuesin në polic apo drejtorin e shkollës në polic. Pra, kemi të bëjmë me një përshkallëzim të hapur të vendosjes së shtetit policor,” tha z. Berisha, ndërsa shtoi se kësaj sipërmarrjeje “policeske” i janë bashkuar edhe institucione të tjera veç Kryeministrisë, si AKEP-i, Ministria e Drejtësisë dhe kreu i Magjistraturës, Arben Rakipi.
Kryedemokrati iu rikthye thirrjes për një hetim amerikan ndaj kryeministrit Rama dhe dosjes “McGonigal” që e implikon atë, sipas z. Berisha.
“Mediet ndërkombëtare e komentojnë gjerësisht faktin se kreu i organizatës kriminale shqiptare apo kryeministri i narkoshtetit shqiptar gjendet në vorbullën e superskandalit që përfshin shërbimet më të mëdha inteligjente të planetit, FBI-në, shërbimin rus dhe atë kinez… Unë jam këtu sot për t’i bërë thirrje FBI-së, Ministrisë së Drejtësisë të SHBA, Kongresit dhe Senatit të ndihmojnë shqiptarët në hetimin e këtij superskandali, pasi Altin Troplini, ky mercenar i Edi Ramës, mban prej tre vitesh në sirtar dosjen e dorëzuar nga opozita,” deklaroi z. Berisha duke iu referuar me kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.
Teksa Kuvendi i ri bëhet gati të nisë punën këtë javë, z. Berisha theksoi se rivalët politikë që ai do të ketë përballë në sallë janë rezultati i një farse elektorale, siç tha se ishin edhe zgjedhjet e 11 majit. /rtsh.al/