Messi ka vendosur se ku do ta përfundojë karrierën

Lionel Messi ka në plan ta përfundojë karrierën e tij të jashtëzakonshme duke
luajtur me Inter Miami në MLS. Fituesi i gjashtë “Topave të Artë” ka luajtur
profesionalisht vetëm për Barcelonën, ku është golashënuesi më i mirë i të gjitha
kohërave, si dhe lojtari më i mirë i klubit.


Kontrata e Messit në “Camp Nou” skadon në qershor dhe po pret deri në fund të
sezonit për të vendosur se cila do të jetë lëvizja e tij e radhës. Sidoqoftë, 33-vjeçari e
ka vendosur tashmë se ku do t’i luajë vitet e fundit të karrierës.

Sipas gazetarit Xavi Campos nga katalanasja “Esport3”, Messi drekoi me Joan
Laporta një ditë pasi ky i fundit u bë presidenti i Barcelonës për herë të dytë.
Argjentinasi i tha 58-vjeçarit se e sheh veten duke luajtur në nivelin më të lartë
edhe për dy vite të tjera, para se të lëvizte drejt SHBA. Të dy zhvilluan diskutime të
gjata për të ardhmen e Messit te Barcelona gjatë takimit, i cili u mbajt në shtëpinë
e superyllit argjentinas.

Inter Miami është ekskluzivitet i David Beckham dhe e luajti ndeshjen e parë në
MLS vitin e kaluar. Pas formimit më 2018, Messi i dërgoi një mesazh legjendës së
Manchester United dhe Real Madridit, ku shprehu interesin e tij për të nënshkruar
me klubin e tij.

Sipas MARCA, Messi tha: “Përshëndetje David, së pari urime. Shpresoj që gjithçka të
shkojë mirë me projektin e ri, në këtë hap të ri që po ndërmerr. Kush e di, për disa
vite mbase do të më telefononi”.


Messi më parë kishte folur për kthimin në klubin e fëmijërisë, NeWell’s Old Boys për
t’i dhënë fund karrierës, por kjo nuk do të ndodhë.

Leo bleu së fundi një
apartament luksoz prej 5 milionë £ në Miami, çka sugjeron se destinacioni i tij përfundimtar i karrierës është vendosur.

Duke mos treguar shenja ngadalësimi,
Messi ka qenë në formë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2021, me 26 gola dhe 9 asiste
në 26 ndeshje për Barcelonën./Telesport/

Read Previous

A janë shoferë më të zotë femrat apo meshkujt?

Read Next

​Sot pritet të arrijnë në Kosovë 4680 vaksina Pfizer