Tre gjyqtarë avancohen në Gjykatën Supreme të Kosovës

Prishtinë – Në mbledhjen e 351-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), tre gjyqtarë janë avancuar në pozita në Gjykatën Supreme të Kosovës. Bëhet fjalë për Qerim Ademajn, Faton Ademin dhe Faton Bajramin.

Anëtarja e KGjK-së, Teuta Ibrahimi, prezantoi raportin e Panelit për përzgjedhjen e gjyqtarëve, sipas të cilit kandidatët morën pikët si më poshtë: Qerim Ademaj – 76.1, Faton Ademi – 73.45 dhe Faton Bajrami – 71.95. Të tre kanë marrë rekomandimin për t’u votuar nga Këshilli për avancim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi kishte monitoruar intervistat me gojë të zhvilluara në objektin e KGjK-së.

Pjesë e intervistimit ishin gjyqtarët: Faton Ademi, Faton Bajrami, Halide Reka, Nora Bllaca-Dula, Qerim Ademaj, Rafet Haxhaj dhe Ramush Bardiqi.

KGJK-ja në mbledhjen 347-të të datës 28 maj 2025 kishte shpallur konkurs për tri pozita për gjyqtarë në Gjykatën Supreme, ku dy nga do jenë për Panelin Ankues të Agjencisë Kosovare të Pronës në këtë gjykatë.

Paneli për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për ngritje në detyrë për tre giyqtarë në Gjykatën Supreme, kishte këtë përbërje:

  1. Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës/kryetar i Komisionit;
  2. Albert Zogaj, kryesues i KGJK-së/ anëtar i Komisionit;
  3. Teuta Ibrahimi, anëtare e KGJK-së/anëtare e Komisionit;
  4. Vilard Bytyqi, anëtar i KGJK-së / anëtar i Komisionit;
  5. Nenad Laziq, giyqtar në Gjykatën Supreme / anëtar i Komisionit;
  6. Drita Rexhaj, anëtare e KGJK-së / anëtare rezervë e Komisionit;
  7. Zenel Leku, giyqtar në Gjykatën Supreme / anëtarë rezervë i Komisionit

Procesi i avancimit bazohet në Rregulloren numër 01/2014 për procedurën e ngritjes në detyrë për gjyqtarë dhe plotësim/ndryshimit të kësaj Rregullore numër 04/2023.

Pas përfundimit të intervistimit, hartohet raporti përfundimtar i vlerësimit të kandidatëve, duke nxjerrë pikët nga secili anëtar i panelit për vlerësim si dhe mesataren e pikëve, e në të cilin raport përfundimtar njihet e drejta në kërkesë për rishqyrtim në afat  prej 5 ditësh dhe pas kësaj, kandidatët me mbi 70 pikë rekomandohen në Këshill për votim. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

62 aksidente brenda 24 orëve në vend

Read Next

Përgjimi i telefonave inteligjentë, Google përballet me gjobë prej qindra miliona dollarësh