SCO, ose e thënë ndryshe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, e themeluar në vitin 2001, përfshin Kinën, Indinë, Rusinë, Pakistanin, Iranin, Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin, Uzbekistanin dhe Bjellorusinë, me 16 vende të tjera të lidhura si vëzhgues ose partnerë dialogu.
Presidenti kinez Xi, ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe deri më tani, duke përfshirë edhe presidentin bjellorus Alexander Lukashenko, një nga aleatët e ngushtë dhe besnikë të Putinit, dhe kryeministrin Indian Narendra Modi, në vizitën e tij të parë në Kinë që nga viti 2018.
Modi dhe Xi ranë dakord që të dy vendet duhet të jenë “partnerë bashkëpunues, jo rivalë”, pavarësisht tensioneve që shpërthyen në vitin 2020 me përplasje vdekjeprurëse midis trupave në kufirin e Himalajeve.
Kjo shënon një hap të mëtejshëm në shkrirjen e marrëdhënieve midis dy kombeve më të populluara në botë, të cilat konkurrojnë ashpër për ndikim në të gjithë Azinë Jugore.
Kina dhe Rusia e kanë promovuar SCO-në si një alternativë ndaj NATO-s, aleancës Atlantike që lidh SHBA-në dhe Evropën, duke zbuluar kufizimet e saj të qarta strategjike dhe operacionale. /ATSH-ANSA/