Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Një raport i ri i publikuar nga UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB-së “Lifelong Empowerment and Protection in Albania”, ngre alarmin për sfidat që vendi po përballet në kujdesin afatgjatë për të moshuarit.
Studimi, i realizuar në fund të vitit 2024 dhe i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe disa qeveri evropiane, ofron një pasqyrë të qartë mbi mungesat dhe sfidat e sistemit aktual të kujdesit.
Sipas të dhënave të Censusit 2023, Shqipëria ka sot 2.4 milionë banorë, një ulje e dukshme krahasuar me vitin 2011.
Ndërkohë, përqindja e personave mbi 65 vjeç është rritur nga 11.3% në vitin 2011 në pothuajse 20% të popullsisë totale në vitin 2023.
Kjo rritje, e kombinuar me emigracionin masiv dhe tkurrjen e familjeve, po rrit ndjeshëm kërkesën për shërbime të kujdesit afatgjatë.
Dy të tretat e të moshuarve kanë nevojë për ndihmë
Sondazhi i realizuar me 790 familje me persona mbi 65 vjeç tregoi se 76% e të moshuarve kanë nevojë për ndihmë në aktivitetet e përditshme, si veshja, larja, gatimi apo menaxhimi i financave.
- 49% janë pjesërisht të pavarur,
- 28% pjesërisht të varur, dhe
- 24% janë shumë të varur, shpesh me sëmundje kronike të shumta si kardiopati, artrit apo probleme të shëndetit mendor.
Gjysma e të moshuarve më të varur marrin më shumë se pesë ilaçe çdo ditë, ndërkohë që 60% e të ardhurave mujore të tyre shpenzohen për shëndetin.
Familja mbetet shtylla kryesore e kujdesit
Raporti konstaton se 95% e të moshuarve mbështeten tek familjarët për kujdesin ditor, ndërsa vetëm 5% marrin ndihmë nga kujdestarë të jashtëm, përfshirë edhe ata të paguar.
Megjithatë, 13% e të moshuarve që kanë nevojë për ndihmë nuk kanë fare kujdestar – një boshllëk i madh që shpesh lë individët më të brishtë pa asnjë mbrojtje.
Pjesa më e madhe e barrës bie mbi gratë, të cilat përbëjnë 67% të kujdestarëve familjarë, ndërsa shpesh edhe vetë mbeten pa kujdes kur plaken.
Institucionet e kujdesit janë të pakta dhe të përqendruara
Në Shqipëri ekzistojnë vetëm 23 qendra rezidenciale për të moshuarit, që strehojnë rreth 705 persona – më pak se 1% e popullsisë mbi 65 vjeç.
Përveç tyre, funksionojnë 36 qendra ditore komunitare me rreth 3,000 përfitues, por pothuajse gjysma e bashkive nuk kanë asnjë shërbim komunitar për të moshuarit, duke e bërë qasjen në shërbime edhe më të vështirë për zonat rurale.
Specializimi mbetet një tjetër problem: vetëm 33% e qendrave rezidenciale ofrojnë kujdes për demencën, edhe pse 92% e tyre e konsiderojnë të domosdoshëm; po ashtu, vetëm 25% ofrojnë fizioterapi. Mungesa e stafit profesional, mungesa e fondeve dhe infrastruktura e amortizuar janë disa nga problemet më të theksuara.
Kriza e kujdestarëve dhe mungesa e trajnimit
Një nga gjetjet më shqetësuese është se 99% e kujdestarëve familjarë nuk kanë marrë asnjë trajnim formal, edhe pse shpesh kujdesen për të moshuar me probleme të rënda shëndetësore.
Nga ana tjetër, stafi institucional është i kufizuar dhe i paktë në specializime: vetëm 8% e qendrave kanë psikologë dhe asnjë nuk ka fizioterapistë të punësuar me kohë të plotë.
Edhe pse ekzistojnë pesë shkolla profesionale dhe disa kurse afatshkurtra nga organizata të ndryshme, numri i kujdestarëve të trajnuar në vitin 2023 ishte vetëm 79 persona, një shifër simbolike përballë nevojës reale kombëtare.
Rekomandimet e raportit
Raporti i UNDP thekson nevojën për:
- Investime në infrastrukturën sociale dhe shëndetësore,
- Mbështetje financiare dhe trajnime për kujdestarët familjarë,
- Zgjerim të shërbimeve të specializuara për demencën, fizioterapinë dhe shëndetin mendor,
- Shtrirje më të madhe të shërbimeve komunitare në bashkitë rurale,
- Rritje të ndërgjegjësimit dhe qasjes në programet e mbrojtjes sociale.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa urgjente, Shqipëria rrezikon të përballet me një krizë sociale dhe shëndetësore, pasi popullsia vazhdon të plaket dhe rrjetet familjare po tkurren gjithnjë e më shumë. /Albanianpost.com