Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i dokumentimit të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 është obligim moral ndaj viktimave dhe obligim kombëtar për Kosovën.
“Çdo dokument i mbledhur, çdo dëshmi e ruajtur, është akt nderimi për të rënët, dhe premtim se krimet e kryera gjatë luftës, pra krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk do të harrohen asnjëherë”, ka theksuar ai gjatë prezantimit të metodologjisë së Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Kurti ka kujtuar se Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës tashmë ruan 345 metra linearë material fizik dhe 23.6 terabyte materiale digjitale, të cilat dëshmojnë për krimet e kryera nga Serbia. Ai ka përmendur edhe arritjen e bashkëpunimit me mbi 500 burime, të cilët kanë dorëzuar materiale me vlerë të madhe dokumentuese.
“Kujtimi i luftës sonë për çlirim e liri është i shenjtë. Detyra jonë është ta ruajmë atë, ta dokumentojmë dhe ta përcjellim brez pas brezi. Kësisoj, sakrifica e popullit tonë do të kthehet në dritë për të ardhmen e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Serbia ende nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka treguar gatishmëri për të ofruar dëmshpërblim financiar për viktimat dhe familjet e tyre, as për kthimin apo kompensimin e pasurisë së grabitur dhe të shkatërruar. /Albanianpost.com