Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, tha se ajo nuk do të jetë sot kandidate e propozuar për kryetare të Kuvendit.
Këtë deklaratë Haxhiu e bëri para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Vazhdimi i kësaj seance vjen pas dështimit për të zgjedhur kryeparlamentarin të mërkurën, ku Lëvizja Vetëvendosje, si partia me më së shumti deputetë, propozoi fillimisht Albulena Haxhiun, e më pas Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për t’u zgjedhur.
Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur edhe 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Sipas vendimit të fundit të Kushtetueses, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë./Reporteri.net/