Kush janë futbollistët më të paguar të kombëtares shqiptare?

Futbollistët e kombëtares shqiptare po shohin një rritje të konsiderueshme të të ardhurave, me disa prej tyre që tashmë renditen ndër milionerët e futbollit. Shifrat e larta të pagave po i kthejnë kuqezinjtë në protagonistë të merkatos dhe kampionateve të huaja.

Mirlind Daku, pas rinovimit të kontratës me Rubin Kazanin, vlerësohet të ketë arritur një pagë prej rreth 2 milionë eurosh në sezon, një shifër që e rendit ndër lojtarët më të paguar në Premier Ligën ruse. Sipas burimeve, ai mund të jetë tashmë i treti në listën e pagave të këtij kampionati.

Armando Broja, i cili ka luajtur si i huazuar te Fulham dhe Everton, synon të mbajë pagën e tij prej rreth 2.5 milionë eurosh në sezon, të cilën e kishte te Chelsea. Tani, me kalimin e tij te Burnley, mbetet për t’u parë se si do të jetë marrëveshja e re financiare, pasi klubi anglez ka buxhet më të kufizuar krahasuar me gjigantët e Londrës. Për kartonin e sulmuesit pritet të paguhen të paktën 20 milionë paund.

Ardian Ismajli ka shënuar gjithashtu një rritje të konsiderueshme. Mbrojtësi kuqezi, tashmë te Torino, ka një kontratë që i siguron 1.1 milionë euro në sezon, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me pagën e tij të mëparshme te Empoli, ku fitonte rreth 800,000 euro.

Megjithatë, ylli më i paguar i kombëtares mbetet Mario Mitaj. Mbrojtësi i Al Ittihadit në Arabinë Saudite përfiton 3 milionë euro në sezon, një shifër edhe më tërheqëse për shkak të taksave minimale ose inekzistente për futbollistët në këtë vend. Mitaj ka qenë protagonist në fitimin e titullit kampion dhe Kupës me klubin e tij.

Elseid Hysaj, një nga liderët e kombëtares, vazhdon të ketë një pozicion të fortë te Lazio, sidomos pas rikthimit të trajnerit Maurizio Sarri. Paga e tij neto arrin në 2 milionë euro, ndërsa me taksat shkon deri në 3.7 milionë euro.

Ndër lojtarët e tjerë të kombëtares që kalojnë kufirin e milionit janë Marash Kumbulla, me një pagë prej 1.7 milionë eurosh te Roma (3.3 milionë me taksa), Kristjan Asllani te Interi, me rreth 1.2-1.4 milionë euro pas rritjeve vjetore nga kontrata e 2022-shit, dhe Nedim Bajrami, i cili te Glasgow Rangers raportohet të fitojë 1.15 milionë euro në sezon.

Këta futbollistë po tregojnë jo vetëm talentin, por edhe aftësinë për të siguruar kontrata të majme, duke e ngritur nivelin e kombëtares shqiptare në skenën ndërkombëtare. /tvsyrivison/

Read Previous

“Në fshehtësi”: Si Hamasi financon pagat e punonjësve qeveritarë

Read Next

Publikohen të dhënat, pothuajse një në pesë makina të reja në Gjermani është elektrike