Shqipëria mes vendeve me shkallën më të lartë të burgosjes në Evropë

Shqipëria renditet mes trembëdhjetë administrata burgjesh, të cilat kanë përjetuar një rritje të ndjeshme të shkallës së popullsisë së burgjeve nga janari 2023 deri në janar 2024, në vendet me mbi 500 mijë banorë.

Konkretisht me 7.5 për qind rritje, sipas Statistikave Vjetore Penale mbi Popullsinë e Burgjeve (SPACE I) të Këshillit të Evropës për vitin 2024.

Shqipëria, nga të dhënat, renditet ndër vendet me shkallën më të larta të burgosjes, përkatësisht 192 të burgosur për 100 mijë banorë.

Mbipopullimi i burgjeve mbetet një sfidë kritike në një të tretën e administratave të burgjeve evropiane.

Në përgjithësi, në Evropë, numri i të burgosurve për 100 vende të disponueshme u rrit nga 93.5 në 94.9 nga 31 janari 2023 deri më 31 janar 2024, me dallime të konsiderueshme midis vendeve.

Në vendet me mbi 500 mijë banorë, pesëmbëdhjetë administrata burgjesh raportuan se kishin më shumë të burgosur sesa vende të disponueshme.

Gjashtë administrata burgjesh raportuan mbipopullim të rëndë: Sllovenia (134 të burgosur për 100 vende), Qiproja (132), Franca (124), Italia (118), Rumania (116) dhe Belgjika (113).

Tetë administrata të tjera burgjesh raportuan mbipopullim të moderuar: Kroacia (110), Irlanda (105), Suedia (105), Hungaria (104), Azerbajxhani (103), Finlanda (103), Turqia (102) dhe Maqedonia e Veriut (101).

Përveç kësaj, administratat e burgjeve të Skocisë (100) dhe Anglisë dhe Uellsit (98), si dhe Serbisë (98), operuan me kapacitet të plotë ose pothuajse të plotë, ku luhatjet e vogla në pranimet në burgje mund t’i çonin sistemet e tyre në mbipopullim.

Më 31 janar 2024, në 51 administratat e burgjeve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës ndodheshin 1,021,431 të burgosur të ndaluar, që përfaqëson një shkallë mesatare të popullsisë së burgjeve prej 105 të burgosurish për 100 mijë banorë në të gjithë kontinentin.

Duke marrë parasysh administratat e burgjeve nga vendet me një popullsi që tejkalon një milion banorë që kanë paraqitur të dhëna si për vitin 2023 ashtu edhe për vitin 2024, shkalla mesatare e popullsisë së burgjeve në Evropë ra pak, nga 116.2 në 115.1 të burgosur për 100 mijë banorë (-0.9%).

Trembëdhjetë administrata burgjesh përjetuan një rritje të ndjeshme të shkallës së popullsisë së burgjeve nga janari 2023 deri në janar 2024, në vendet me mbi 500 mijë banorë: Sllovenia (+25.4%), Suedia (+15.5%), Malta (+11.1%), Serbia (+9.4%), Kroacia (+8.3%), Azerbajxhani (+8.3%), Italia (+7.8%), Shqipëria (+7.5%), Mbretëria e Bashkuar (Irlanda e Veriut) (+6.9%), Belgjika (+6.8%), Mbretëria e Bashkuar (Skocia (+6.7%), Mbretëria e Bashkuar (Anglia dhe Uellsi) (+6.4%) dhe Irlanda (+5.4%).

Shkallët e burgosjes ranë ndjeshëm vetëm në Bullgari (-14.5%), Luksemburg (-14.5%), Turqi (-12.9%), Estoni (-12%), Lituani (-9.4%) dhe Hungari (-7.3%), ndërsa mbetën të qëndrueshme në 24 administrata burgjesh.

Vendet me shkallët më të larta të burgosjes ishin Turqia (356 të burgosur për 100 mijë banorë), Azerbajxhani (264), Gjeorgjia (261), Republika e Moldavisë (235), Polonia (202), Hungaria (195), Shqipëria (192), Çekia (180), Sllovakia (179), Serbia (177), Letonia (175) dhe Mali i Zi (164).

Vende të tjera me shkallë të lartë burgosjeje përfshinin Lituaninë (158), Mbretërinë e Bashkuar (Anglia dhe Uellsi) (145) dhe Maqedoninë e Veriut (143).

Mbipopullimi dëmton seriozisht kushtet e jetesës së popullsisë së burgjeve dhe përpjekjet e rehabilitimit të administratave të burgjeve.

Të dhënat mbi kohëzgjatjen e burgimit tregojnë se periudhat mesatare më të shkurtra të paraburgimit kanë tendencë të lidhen me norma më të ulëta të popullsisë së burgjeve.

Edhe pse ka përjashtime nga ky model, kjo marrëdhënie thekson rëndësinë e kohëzgjatjes së dënimit si një levë për të menaxhuar mbipopullimin e burgjeve. /Albanianpost.com

Read Previous

Klubi i Premier Ligës anulon një transferim ‘në minutën e fundit’

Read Next

Dogana e Kosovës tejkalon 1 miliard euro të hyra